Britania e Madhe përballet me një krizë të pazakontë shëndetësore këtë dimër, ndërsa numri i pacientëve të shtruar në spital për grip ka arritur nivele rekord. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë qytetarët të përdorin maska për të kufizuar përhapjen e infeksioneve respiratore.
Një variant i ri i gripit, më infektiv dhe më i rrezikshëm se vitin e kaluar, po shkakton hospitalizime të shumta. “Straini i ri i influenza A(H3N2)”, i njohur si “subclade K” ose “super-grip”, dominon rastet dhe ka sjellë fillimin e parakohshëm të sezonit të gripit këtë vit. Shumica e rasteve janë midis fëmijëve nga 5 deri në 14 vjeç, ndërsa spitalet raportojnë dhjetëfishim të pacientëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Jim Mackey, drejtor i “NHS England”, paralajmëroi se vendi mund të përballet me sezonin më të keq të gripit ndonjëherë dhe krahasoi situatën me periudhën e Covid-19. Profesor Nicola Lewis nga “Francis Crick” Institute theksoi: “H3 është një virus më i rrezikshëm dhe me ndikim më të madh në popullatë.”
Sipas Daily Mail, për të mbrojtur qytetarët, NHS rekomandon përdorimin e maskave, veçanërisht për të moshuarit, personat imunokomprometuar dhe ata që janë në kontakt me njerëz të ndjeshëm. Maskat zvogëlojnë përhapjen e grimcave virale dhe mbrojnë përdoruesin nga infeksione të tjera respiratore, përfshirë Covid-19 dhe RSV.
Në disa spitalet në Londër, “Lincolnshire”, “Shropshire” dhe “Oxfordshire”, maskat janë bërë të detyrueshme për pacientët, vizitorët dhe stafin, sidomos në zonat me rrezik të lartë.
Numri i pacientëve të shtruar në Angli është rekord për këtë periudhë të vitit, me 1,717 pacientë në shtretër çdo ditë, nga të cilët 69 në kujdesin intensiv. Rritja është 56% më e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Sezoni i gripit ka filluar më herët se zakonisht dhe pritet të rritet presioni mbi spitalet gjatë festave të fundvitit.
Mjekët rezidentë në Angli do të kryejnë strejk midis 17 dhe 22 dhjetorit, duke rritur shqetësimet për kapacitetin e NHS, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje që të gjithë të vaksinohen kundër gripit dhe Covid-19 për mbrojtje maksimale.
Megjithatë, lajmi pozitiv është se rastet e norovirusit dhe Covid-19 janë më të ulëta se dimrat e mëparshëm, duke dhënë një lehtësim të pjesshëm për shërbimet shëndetësore.


