“Alo…disa deputetë po pinë cigare në Kuvend”/ Bardhi dhe Peleshin i “bashkon” duhani: S’mund të na kontrollojnë!

spot_img
Advertisements

Një telefonatë e mbërritur në zyrat e Inspektoratit të Shëndetit për konsumim të duhanit brenda ambienteve të Kuvendit ka bërë që inspektorët të nisen me urgjencë drejt lokalit të parlamentit.

Deputetët të cilët kanë qëndruar për më shumë se 12 orë në sallë në një seancë maratonë, kanë dashur të shfrytëzojnë ambientet e lokalit për te shoqëruar kafen me një cigare, por kanë mbetur të habitur kur kanë parë aty inspektorët e Shëndetit Publik.

Ata kanë njoftuar kreun e grupit të PD, Gazment Bardhi, i cili e ngriti çështjen në parlament.

“Janë disa inspektorë që kontrollojnë ambientet e punës së deputetëve. Nuk ushtron dot kontroll prokuroria pa autorizim të seancës plenare. Jeni duke shkelur rëndë kushtetutën, jeni duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me gjestin që jeni duke bërë”, tha Bardhi.

Në përgjigje të kreut te grupit ministrja Sala konfirmoi se “është inspektorati i autorizuar për të kryer kontrollet“.

Por në krah të Bardhit doli kreu i Kuvendit, Niko Peleshi.

“Duhani nuk duhet lejuar. Forma dhe procedura e inspektimit, padyshim z.Bardhi ka të drejtë. Për momentin se nuk bëhet kiameti, inspektorët të largohen“, tha Peleshi.

Latest articles

Related articles