Salianji kritika Berishës: Bën fjalime dhe muzikë poshtë zyrës së Ramës

spot_img
Advertisements

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një intervistë për emisionin “Opinion”, shpjegoi arsyet pse ka nisur takimet me demokratët e bazës, duke adresuar një sërë kritikash ndaj drejtimit aktual të PD-së dhe mënyrës së reagimit politik.

Salianji u ndal veçanërisht tek mënyra e protestës së PD-së, duke thumbuar kryedemokratin Sali Berisha. Ai deklaroi se Edi Rama nuk mund të largohet nga posti i kryeministrit me “fjalime dhe muzikë poshtë zyrës”, duke iu referuar foltoreve të së hënës.

Salianji gjithashtu theksoi se PD nuk po i përgjigjet nevojës për ndryshim dhe se anëtarësia ka kërkesa të qarta për analizë dhe riorganizim. Sipas tij, mungesa e meritokracisë dhe mosmotivimi i strukturave po dobësojnë partinë.

“Cili është ndryshimi mes foltoreve që po bëhet atje dhe takimeve që po bëjmë ne. Analizën në PD nuk e kam shpallur unë një ditë pas kësaj, e ka shpallur partia. Ky ka qenë momenti që e kam nisur edhe unë këtë diskutim. Nuk e kam nisur në kulmin e skandalit. Takimet kanë nisur tre javë më vonë”, tha Salianji.

Madje ai bëri me dije se kunata e Ballukut ka qenë një ndër gjyqtarët që e ka dënuar me burg.

“Po të jetë për këtë logjikë unë mund të kem një arsye shtesë. E dini ju që kunata e kësaj zonjës më ka dënuar me burg apo jo? Ja po ta them unë. Një prej gjyqtareve që më ka dënuar mua dhe që kam bërë 9 muaj e kusur burg ka qenë kunata e Belinda Ballukut. Mos e çojmë këtë në ekstreme se pastaj janë budallallëqe me okë”, tha Salianji.

Ai theksoi se Partia Demokratike nuk reagoi në mënyrën e duhur.

“Kontributi i PD-së dhe i çdo partie në opozitë është denoncimi padiskutim, ndërtimi i alternativës, por edhe një element tjetër. nuk jemi për të duartrokitur nga çfarë punë bën SPAK, por për të përfituar politikisht dhe të jemi aty si garant i interesit publik për të përfituar nga skandalet e qeverisë. Iku Veliaj, iku Balluku, iku Beqaj, iku Tahiri. Çfarë kemi kapitalizuar nga këto? Epo unë ti them këto gjëra”, tha Salianji.

Sipas tij, PD-ja duhet të motivojë strukturat dhe të kthejë meritat në parti.

Latest articles

Related articles