Në vitin 2018, një aksion i policisë vuri në pranga shumë pjesëtarë të familjes Avdyli në Shijak, të akuzuar për disa vepra penale, në Shqipëri edhe Europë. Nën akuzë u vunë disa persona, ndër të tjerë edhe Astrit dhe Flamur Avdyli.
Kjo familje njihet si mbështetëse e mazhorancës aktuale, ku anëtarë të saj kanë dalë hapur në mbështetje të Partisë Socialiste dhe të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Disa episode janë denoncuar edhe nga gazeta gjermane “Bild”, teksa në Shqipëri ka pasur denoncime të shumta të lidhjes mes mazhorancës dhe kësaj familje.
Koha ka kaluar dhe, në vend që të hetoheshin të gjitha këto lidhje, rezulton se pjesëtarët e së njëjtës familje vijojnë të shtojnë pasuritë. Deri më sot janë bllokuar disa pasuri nga institucionet ligjzbatuese, por kush guxon që t’ua tjetërsojë pronat?!
Normalisht që asnjë individ, pasi kjo familje i ka marrë mbrapsht disa pasuri të sekuestruara, teksa institucionet shtetërore, si agjencia që merret me këto pasuri, e ka pasur thuajse të pamundur që t’i nxjerrë në ankand apo t’ua japë me qira personave që s’kanë lidhje me Avdylajt.

Faksimile: Leja e Këshillit Kombëtar të Territorit për leje plazhi për firmën “Orges Albania”
Vitet zgjedhore kanë qenë tepër fitimprurëse për të gjitha bizneset, të cilat e kanë pasur të lehtë të marrin leje me firmë të krerëve të shtetit. Disa individë dhe familjarë të të kërkuarve, apo edhe vetë persona me të shkuar kriminale, kanë arritur që të marrin leje pothuajse në gjithë Shqipërinë. Janë dhënë leje për resorte, kulla apo edhe pallate.
Në këto radhë do të ndalemi te një tjetër leje, ndoshta “shpërblyese” të qeverisë për familjes Avdyli. Me firmë të kryeministrit Edi Rama dhe të ish-ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, firma “Orges Albania 2016” ka arritur të marrë dy parcela plazhi në Durrës.
Sipas dokumenteve të botuara bëhet fjalë për leje për stacion plazhi, me numër 5055, të dhëna në datë 21 korrik 2025. Informacionet që kanë mbërritur në redaksinë tonë flasin se leja është dhënë shumë kohë para kësaj date, teksa zbardhja e lejes është vonuar, për shkak të zhurmës që mund të krijonte.
Duket se, familja Avdyli ka vijuar të “punojë” për Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit, pasi arrin të marrë në mënyrën më të lehtë leje nga krerët e shtetit. Gjithçka e shkruar e zeza mbi të bardhë, ku rezulton se kompania “Orges Albania 2016” ka arritur të marrë 2 parcela plazhi, respektivisht “DR 515” dhe “DR 516”.



