Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive, me në qendër në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorq. Në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
Në këtë ditë të shënuar, do të mbahen një sërë aktivitetesh. Në Vlorë, aktivitetet përfshijnë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që pritet të nisë në orën 10:00, nderime te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje.


