Specialisti i sigurisë rrugore Fadil Likaj foli në edicionin e lajmeve në Mcn Tv për tarifat e rritura në lidhje me siguracionet e makinave, duke theksuar se kompanitë e sigurimeve në Shqipëri nuk kanë investuar në parametrat e sigurisë rrugore. Ai vuri në dukje se rritja e pagesës do të përkthehet në rritjen e fitimit për këto kompani, dhe jo investim për qytetarët. Sipas Likajt AMF duhet të rrisë inspektimet dhe duhet të kemi një auditim nga Autoriteti i Konkurrencës në lidhje me bashkërendimin në treg.
“Rritja e policës së sigurimit, përkthehet në avantazhe dhe disavantazhe për qytetarët. Avantazh është që do aplikohet sistemi që nëse gabon do paguash më shumë. Ka edhe disavantazhe. Kam qenë kundër kësaj rritje edhe më parë. Çfarë ofrojnë kompanitë e sigurimeve për këtë rritje?! Ato do mbajnë të njëjtin standard. Kompanitë e sigurimeve duhet të investojnë mbi parametrat e sigurisë rrugore, por s’jam në dijeni ta kenë bërë këtë. Në vende të BE ato investojnë në infrastrukturë, sinjalistike dhen fushata. Rritja e pagesës do përkthehet në rritje fitimi për ta dhe jo në investim për qytetarët për të rritur parametrat e sigurisë.
Drejtuesi i një mjeti të vjetër duhet të paguajë më shumë, dhe kjo është për të ardhur keq. Statistikat tregojnë që aksidentet janë ulur, por nëse e krahasojmë me numrin e mjeteve në qarkullim. Nuk shoh që kompanitë e sigurimeve të rrisin shërbimin, për atë që qytetarët paguajnë. AMF duhet të rrisë inspektimet, të shikojë çfarë shërbimesh po kthejnë për qytetarët kompanitë e sigurimeve. Duhet një auditim nga Autoriteti i Konkurrencës që të dalin me verdikt përfundimtar. Në vendet e BE shohim çfarë kanë ofruar kompanitë, çfarë dëmesh kanë trajtuar. Nëse trajtimi i dëmeve nuk bëhet në përputhje me aktet ligjore, autoritetet duhet të marrin masa të menjëhershme për këto kompani sigurimi”.
I pyetur për sistemin bonus/malus, Likaj tha:
“Nëse ti ke shkaktuar dëme materiale dhe njerëzore duhet të paguash për atë dëm. Kjo do rrisë ndërgjegjësimin, por do penalizojë drejtuesit e rinj të mjeteve, ata që janë përfshirë në një ngjarje rrugore. Unë mund të jem përfshirë në një ngjarje rrugore, por s’jam fajtor, si do paguaj më shumë, kjo është pabarazi. Do rritet polica e sigurimit për të gjithë të përfshirët, edhe viktimat, ky është një ngërç që duhet zgjidhur”.


