Liria e Ilir Metës, duke e lënë qelinë e paraburgimit për të qenë pjesë e seancës në GJKK, zgjati shumë pak. Seanca u shty për në 5 dhjetor, ndërsa ai u kthye në paraburgim. Sipas avokatit të tij procesi gjyqësor dhe qëndrimi në qeli nuk e ka shqetësuar. Pas seancës, mbrojtësi i tij në daljen për mediet shprehet se kryetari i Partisë së Lirisë, është i relaksuar dhe po përgatitet të publikojë librin.
“Meta do të jetë në çdo seancë, ai kërkon që të përballet dhe padyshim do jetë në çdo seancë për të dëgjuar çdo pretendim dhe do japë çdo përgjigje dhe do bëjë çdo parashtrim për akuzën që është ngritur. Meta nga sot do jetë i pranishëm në çdo seancë.
Meta ka pasur qëndrim korrekt, është i relaksuar, ndoshta palestra dhe shkrimi që po bën për librin që do nxjerrë e ka relaksuar. Pa dyshim edhe prezenca e avokatit e ka relaksuar”, tha avokati Kujtim Cakrani.
Ai tha se Meta duhet të dëgjohet nga SPAK pasi ka në dispozicion sekrete shtetërore për 21 janarin, me 4 viktima.


