Bankers “ha kokat” e zyrtarëve të lartë shtetërorë, SPAK hetime për 8 vepra penale! Afera e Lonit

spot_img
Advertisements

Hetimet për “Bankers Petroleum” duket se janë shtrirë te nivelet shtetërore. SPAK pak kohë më parë mori dosjen nga Prokuroria e Fierit, e cila arrestoi kreun kinez Hu dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo (tani në arrest shtëpie). Por për prokurorët e posaçëm shkeljet shkojnë deri te nivelet më të larta.

Pak ditë më parë u bë me dije se SPAK ka sekuestruar nga Ministria e Financave dosjen mbi faljen e gjobës 120 milionë euro. Por duket se hetimet shtrihen edhe në Tatime dhe në sektorë të tjerë, që kanë patur përgjegjësi për aferat që ndodhnin te Bankers.

SPAK ka publikuar sot regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve për muajin tetor, ku ka dhënë përgjigje dhe mbi veprat penale mbi të cilët po hetohet afera “Bankers”. Sipas dokumentit, është regjistruar procedim penal për plot 8 vepra penale:

1- “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”;

2- “Fshehja e të ardhurave”;

3- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

4- “Shpërdorimi i detyrës”;

5- “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”;

6-“Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”;

7- “Grupi i strukturuar kriminal”;

8- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 181/a, 287, 28, 260, 248, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”.

Pra janë 3 vepra të reja, pasi Prokuroria e Fierit kishte regjistruar procedim për: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Bie në sy vepra “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Pra do të thotë se SPAK po heton pushtetarët që janë përfshirë në afera me kinezët. Po ashtu kemi hetim për grup të strukturuar kriminal.

Më 3 korrik Porkuroria e Fierit bastisi zyrat e Bankers. Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 masa sigurie

Hetimi që çoi në këtë operacion u zhvillua për një periudhë 6-mujore, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi është kryer me metoda proaktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat tatimore dhe policore.

Sipas Prokurorisë së Fierit, “Bankers Petroleum” dyshohet se gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim që në bilancet vjetore të rezultonte me humbje. Kjo skemë i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë dëm.

Mashtrimi është realizuar, sipas hetimeve, me ndihmën e individëve dhe shoqërive kontraktuese, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve financiare të dyshimta, të kryera me operatorë dhe individë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndërsa më 4 tetor dosja kaloi në SPAK.

Latest articles

Related articles