Zgjerohet Pikëza e Mirela Kumbaros, ministrja e Dikut!

spot_img
Advertisements

Kur ministrja e dikurshme e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti “pikëz të vogël” copën e Parkut të Butrintit që do t’u shkëputej shqiptarëve për t’u kthyer në resort privat, askush s’e imagjinonte se ajo “pikëz” do të rezultonte në një masakër të përmasave të tilla. Sot, ajo pikëz është shndërruar në një koloni betoni, një mur vilash të ngjeshura që kanë zaptuar çdo centimetër të Plazhit të Manastirit, një nga gjiret më të bukura të Rivierës Shqiptare.

Në foton që shoqëron këtë denoncim, nga ajo që shfaqet, duket qartë sesi kodra është hapur me ekskavator, gërmuar, prerë, “rrjepur”, vetëm që t’i hapet rrugë betonit. Në vend të gjelbërimit dhe terrenit natyral, shihet një masiv i shkatërruar, i kthyer në kantier të një qyteti fantazmë, me vila të rreshtuara si bunkerë me ngjyra të lara-lara për t’u bërë më të lehta për “stomakun” publik. Ky është “vizioni” që qeveria e quan “investim strategjik”.

Mbrapa këtij “investimi” që po gllabëron një pasuri kombëtare, qëndron biznesmeni Sadik Ismailaj dhe kompania e tij “Albstar” shpk, të cilët në dhjetor 2021 u shpallën zyrtarisht investitorë strategjikë nga Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Vlera e projektit: 28 milionë euro për të ndërtuar një resort me dhjetëra njësi akomodimi, hotel, bar, restorant, pishina dhe struktura të tjera që mbulojnë një sipërfaqe prej 53,467 m² në Ksamil.

Po flasim për territor që vetëm pak vite më parë ishte pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Por qeveria me dy lëvizje të koordinuara fillimisht zvogëloi hartën e Parkut, dhe më pas ia dorëzoi menaxhimin një fondacioni privat, duke hapur rrugën për privatizimin e gjirit.

Rezultati? Plazhi i Manastirit, dikur i hapur për të gjithë, tani do të jetë pronë e atyre që kanë 4 mijë euro për metër katror, ndërsa qytetarët duhet të lënë sytë pas telave dhe rojeve të resortit.

Për shqiptarët, mbeti vetëm cinizmi i ministres Kumbaro: “Kjo është veçse një pikëz e vogël”.

Në terren, siç duket qartë në foton e sotme, ajo “pikëz” është shndërruar në shembullin më brutal të shkatërrimit të mjedisit për t’i hapur rrugë betonit dhe interesave private.

default

Latest articles

Related articles