Mjekët urologë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, rikujtojnë sot përmes një videomesazhi rëndësinë e kontrollit të hershëm dhe kujdesit ndaj shëndetit të prostatës.
Dr. Gjergji Karamiti, mjek urolog tha se kanceri i prostatës është një nga sëmundjet më të shpeshta tek meshkujt, por i diagnostikuar në kohë ka një shkallë shumë të lartë shërimi.
“Kanceri i prostatës është një nga patologjitë më të shprehura te burrat. Ai ka një prevalencë mbi 58% në moshat mbi 78 vjeç. Ndër shkaktarët kryesorë është trashëgimia dhe mosha. Duke pasur parasysh që është më i shprehur ndër trashëgimtarët e radhës së parë, kanceri i prostatës është më i pranishëm me kalimin e viteve”, tha Karamiti.
Sipas mjekut urolog, nuk ka shenja specifike që mund të dallohen te një pacient që rrezikohet nga kanceri i prostatës.
“Kanë shumë rëndësi protokollet sipas udhëzimeve të Shoqatës së Urologjisë evropiane dhe amerikane. Çdo pacient mbi moshën 50 vjeç duhet t’i nënshtrohet kontrolleve periodike, të rregullta që fillojnë te mjeku i familjes. Nëse kanë pasur të afërm të shkallës së parë, baballarë, vëllezër me kancer protaste, kontrolli fillon që 45 vjeç”, vijoi ai.
Në kontrollin te mjeku i familjes, dr. Karamiti ndalet tek analiza e thjeshtë e PSA-së dhe kontrolli rektal.
“Te stili i jetës nuk ka një shkaktar të veçantë, por duhet të bëhet një jetë e shëndetshme. Disa faktorë që mund të jenë shoqërues për kancerin e prostatës janë obeziteti, hipertensioni, infeksionet si sifilizi dhe gonorreja. Pirja e duhanit ndikon në rritjen e vdekshmërisë së kancerit të prostatës. Proteinat, yndyrat e larta janë shoqëruese, ndërsa rrezet ultraviolet ndihmojnë në uljen e rasteve”, tha Karamiti.


