Emrat e lënë në hije: Marash Ivanaj, Tahir Kolgjini, Isuf Luzaj e dhjetëra të tjerë

spot_img
Advertisements

nga L. Koka

Historia shqiptare ka një paradoks therës: ata që mbi supet e tyre mbanin bibliotekat, mendimin, kulturën dhe përgjegjësinë morale të kombit — Marash Ivanaj, Tahir Kolgjini, Isuf Luzaj e dhjetëra të tjerë — u zhdukën nga kujtesa publike, ndërsa figura të dala nga injoranca, dhuna dhe oportunizmi u ngritën në piedestale prej regjimit komunist. Kjo përmbysje, e ndërtuar përmes frikës, propagandës dhe shkatërrimit të elitës intelektuale, vazhdon të prodhojë mjegullën tonë morale edhe sot.

Ivanaj, Kolgjini e Luzaj nuk ishin thjesht antikomunistë: ishin njerëz idesh, të formuar, me vizione për shtetin dhe kombin. Në rrethana të pamundura, kur Shqipëria shkelej nga një perandori e sëmurë në tjetrën, ata zgjodhën të bashkëpunonin me forcat që garantonin ekzistencën kombëtare, jo ideologjinë. Po, disa prej tyre bashkëpunuan me strukturat gjermane, por jo si ideologë të nazizmit, por si pragmatistë të mbijetesës së shtetit shqiptar. Prandaj, pikërisht në këtë periudhë, Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që në vitin 1945 kishte më shumë hebrenj se në 1939, sepse shqiptarët i strehuan, i shpëtuan dhe nuk dorëzuan askënd. Historia, me të gjitha ndërlikimet e saj, dëshmon se këta njerëz, megjithë gabimet apo kompromiset e kohës, ruajtën një kod etik më të lartë se shumë “fitimtarë” të mëvonshëm. Kur jemi krenarë me veprën, duhet të jemi krenarë edhe me ata që e bënë të mundur!

Nga ana tjetër qëndron kontrasti i zymtë: figura të komunizmit që nuk mbaruan shkollat, që vinin nga varfëria kulturore dhe ambicia e dhuna, u bënë arbitrat e së vërtetës. Me armë në dorë dhe nën udhëzimet e Partisë, ata vendosën kush ishte patriot, kush tradhtar, kush duhej të rronte e kush duhej të zhdukej. Ata që s’dinin të lexonin mirë një faqe, firmosën dënime me vdekje për njerëz që shkruanin traktate filozofike. Elita e vërtetë u la në hije, ndërsa pseudo-elita u bë monument.

Kjo nuk është thjesht një padrejtësi historike. Është plagë që ende s’është shëruar. Kombi që harron mendjet e veta më të mira, domosdo i nënshtrohet më të dobtëve dhe më të zhurmshmëve. Dhe derisa t’i nxjerrim këta emra nga hija, do të na mungojë gjithnjë një pjesë e rëndësishme e vetes: dinjiteti për të njohur të vërtetën, jo versionin që u shartua me dhunë.

Në fund të fundit, këta intelektualë nuk humbën – ne i humbëm. Por ende ka kohë t’i rikthejmë.

Latest articles

Related articles