Veli Myftari, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se në vitin 1997 u morën 550 mijë armë dhe vetëm 1/3 e tyre janë kthyer.
“Në 1997 kanë qenë 3 banda kryesore. Këto lindën si rezultat i veprimeve të gabuara të kohës. U dëmtua sistemi ekonomik, duke i marrë paratë njerëzve me firmat piramidale… dhe populli u ngrit. Ju morën Shqipërisë 550 mijë armë të asaj kohe dhe 4 miliardë fishekë. U shpërndanë në popull dhe kur mundëm të krijojmë strukturat për t’i grumbulluar këto armë, kemi kthyer vetëm 1/3 e atyre armëve. Të tjerat janë trafikuar. Njerëzit u mësuan me armë nëpër duar. Armët i morën kriminelët, të cilët u përfeksionuan nëpër grupime”, tha Myftari.
“Në mes të Elbasanit është bërë luftë për 24 orë, sikur të ishim në luftë frontale. Ka pasur raste në Fier, në Shkodër… Kjo është vazhdë e asaj historie që vjen edhe në këto ditë. Ky kontingjent që ka mundësi për të vrarë u shfrytëzua për ngjarjet që po i shikojmë edhe sot”, shtoi ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.


