Nga Ermal Peçi
Në politikën shqiptare, ku zhurma është më e fortë se e vërteta dhe spektakli zëvendëson substancën, ekziston një figurë që ka ditur të sundojë pa folur, të lëvizë pa u parë dhe të ndikojë pa u ekspozuar të paktën deri pak javësh. Belinda Balluku, ministrja që nuk ka kërkuar kurrë vëmendje mediatike , është prej kohësh një nga figurat më të fuqishme, më të debatueshme dhe më të mistershme të qeverisë Rama. E pranishme, por e padukshme. E qetë, por e gjithanshme. Një “kuti e zezë” që shumëkush beson se brenda saj mban sekretet më të errëta të arkitekturës së pushtetit shqiptar.
Prej vitesh në Tiranë qarkullon një ide e hidhur: opozita shqiptare është e kapur, e varur dhe e mbajtur gjallë me oksigjenin e qeverisë. Por pak njerëz kanë guxuar të artikulojnë hapur një dyshim të madh, të heshtur, të përsëritur: ndikimin e Belinda Ballukut në disa prej protestave të Partisë Demokratike, sidomos në territorin e bashkisë së Tiranës. Aty ku bindjet nuk përplasen por aty përplasen interesat ekonomik. Aty ku politika nuk është ideologji, por mekanizëm mbijetese për pushtetin.
Qarkullojnë fjalë se shumë shpejt mund të dalin përgjime ku Ervis Berberi, ish-drejtori i ARRSH-së, i cili tani gjendet pas hekurave, komunikon me njërin prej njerëzve më të afërt të Berishës në PD. Madje vetë Berisha, vetëm disa ditë më parë, tentoi të tregonte “gjysmën e së vërtetës”: se në protestat e tij “i fusnin njerëz të Ballukut për t’i prishur turmën”. Por ndërsa ai fliste për infiltrime, realiteti në atë kohë ishte brutal: kishte më shumë policë se protestues dhe ndërhyrje nga “të tretët” ishin praktikisht të pamundura.
Sipas shumë zërave të prapaskenës, disa protesta që duhej të ishin kundër Veliajt, në fakt fryheshin në mënyrë të tërthortë nga vetë segmente të qeverisë. Jo për ideal, por për interes. Një opozitë e dobët është garanci, jo kërcënim. Një opozitë që jeton me oksigjen të huaj nuk ngrihet dot vetë. Ajo është vetëm një rezervë dhe pjesë e të njëjtit ekosistem politik.
Po aq e fortë është edhe bindja se Belinda Balluku ka luajtur rol edhe në betejën për vulën e PD-së që ti kalonte Berishës. Përtej SPAK si i vetmi institucion që sot funksionon realisht jashtë orbitës së politikës falë mbështetjes SHBA-BE, gjykatat shqiptare kanë funksionuar shpesh si zgjatime të marrëveshjeve që nuk firmosen, por vlejnë më shumë se çdo akt. Vendime që merren në telefonata, në tavolina të mbyllura, në rrjete influence të vjetra. Balluku është prej atyre figurave që nuk i njeh këto mekanizma nga jashtë por nga brenda për shkak të interesave shumë të mëdha politik që ajo menaxhonte.
Ajo perceptohet prej shumëkujt si nyja që lidh fijet e sistemit: mes kontratave publike dhe interesave politike, mes biznesit dhe shtetit, mes vendimeve formale dhe marrëveshjeve të padukshme. Në çdo qeveri ka ministra të rëndësishëm; por ka edhe ministra që mbajnë kolonat e pushtetit. Balluku bën pjesë në këtë të dytën prandaj këto hetime po trondisin edhe themelet e Ramës sepse ajo nuk është si të tjerët brenda PS.
SPAK, me hetimet që vazhdojnë, me telefonat e sekuestruar dhe zinxhirët e komunikimeve që priten të dalin, është ndoshta i vetmi institucion që mund të tregojë se çfarë është luajtur realisht pas perdeve dhe në kurriz të qytetarëve.
Kjo nuk është thjesht historia e një ministreje.
Është historia e një shteti që ka humbur kufijtë mes pushtetit dhe kundërpeshës. E një opozite që ka humbur pronësinë mbi veten. E një sistemi ku influenca e padukshme vlen më shumë se politika e dukshme.
Në këtë errësirë ka vetëm një të vërtetë të thjeshtë dhe të frikshme: Belinda Balluku ka potencialin politik të rrëzojë jo vetëm Ramën, por edhe Berishën.
Kutitë e zeza nuk janë të rrezikshme kur fluturojnë, të rrezikshme bëhen vetëm kur hapen.


