Hasimja: Rotacioni vjen vetëm me opozitë të bashkuar, ndërkohë PD po ndjek interesat e veta

spot_img
Advertisements

Politologu Ermal Hasimja ka deklaruar se rotacioni politik në Shqipëri është i mundur vetëm nëse opozita arrin të krijojë një front të bashkuar dhe të bindë votuesit e pavendosur që tradicionalisht kanë mbështetur partitë e reja. Ai theksoi se Partia Demokratike ka “një mundësi fantastike” me Kodin Zgjedhor, por sipas tij PD po vepron më shumë në funksion të interesave të veta sesa të elektoratit opozitar.

Sipas Hasimjes, për të fituar zgjedhjet, opozita duhet të mbledhë jo vetëm të gjitha votat e saj, por edhe të tërheqë rreth 150 mijë votues të cilët “i shohin të gjitha partitë njësoj” dhe që në zgjedhjet e fundit kanë mbështetur formacione të reja politike. Ai i cilësoi këta votues si “25% e votave të opozitës”, një grup vendimtar për çdo ndryshim pushteti.

Hasimja kritikoi mënyrën se si PD po sillet në Kuvend, duke akuzuar demokratët se po merren vesh me PS “për interesa personale” dhe jo për interesat e elektoratit të djathtë. “Si mund t’i tërheqësh këta njerëz, kur ti shkon në parlament dhe merresh vesh me PS për interesat e partisë?” – u shpreh ai.

Ai argumentoi se Kodi Zgjedhor u ofronte demokratëve një shans të rëndësishëm për të treguar parimësi dhe për të dhënë sinjal se ata nuk synojnë të eliminojnë konkurrentët e tjerë në kampin opozitar. “Interesi ynë kryesor duhet të jetë ndryshimi i qeverisjes në Shqipëri”, tha Hasimja, duke shtuar se në vend të kësaj PD po përqendrohet te mbrojtja e interesave të veta të ngushta.

Sipas tij, një opozitë e bashkuar dhe parimore do të ishte në gjendje të rikthente besimin e atyre votuesve gri që kanë qenë kritikë ndaj partive tradicionale, duke i dhënë kështu mundësi reale një rotacioni politik në vend

Latest articles

Related articles