Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport të gjerë mbi cilësinë dhe certifikimin e ujit të pijshëm të ambalazhuar. Raporti vlerëson punën e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Bujqësisë, ISHP, AKU, strukturave rajonale dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në periudhën 2020 deri 2024. Auditorët konstatuan se sistemi aktual nuk garanton sigurinë e produktit që konsumojnë çdo ditë mijëra qytetarë. Institucionet shtetërore nuk zbatojnë detyrimet ligjore për kontrollin, monitorimin dhe analizimin e ujit të ambalazhuar. Përplasje kompetencash, mungesë koordinimi dhe kuadër ligjor i paqartë kanë prodhuar një sistem të copëzuar dhe pa garanci.
Raporti evidenton se AKU licencon stabilimentet pa verifikuar nëse operatorët zotërojnë paraprakisht lejen e përdorimit të burimit ujor, edhe pse kjo leje është detyrim ligjor. Stabilimentet pajisen me licenca pa afat, ndërsa institucionet nuk shkëmbejnë informacion për rastet kur lejet e burimit pezullohen apo revokohen. Në raport thuhet se mungesa e bashkëpunimit mes AKU dhe Agjencisë së Burimeve Ujore krijon një boshllëk të rrezikshëm në mbikëqyrjen e produktit. Po sipas auditimit, modeli i tanishëm i dhënies së burimeve ujore nuk garanton konkurrencë dhe nuk siguron kritere të qarta për investimet. Institucionet nuk monitorojnë në vazhdimësi plotësimin e kushteve dhe nuk kryqëzojnë të dhënat që lidhen me burimet dhe licencat.
Raporti thekson se laboratorët e AKU, ISHP dhe NJVKSH nuk janë të akredituar, ndonëse legjislacioni i detyron të përdorin metoda sipas standardeve ISO. Përfaqësues të ISHP kanë pranuar gjatë takimeve me auditorët se instituti nuk ka akreditim të vlefshëm. Të tre institucionet përdorin analiza të pjesshme dhe nuk mbulojnë të gjithë parametrat e detyrueshëm. KLSH vlerëson se rezultatet e prodhuara nga laboratorë të paakredituar nuk kanë vlefshmëri të plotë ligjore për monitorimin e tregut.
Plani vjetor i analizave nuk është realizuar në asnjë vit të periudhës së auditimit. AKU ka kryer nga 56 për qind deri në 84 për qind të analizave të planifikuara. Në vitin 2023 u realizuan vetëm 128 analiza nga 206 të parashikuarat. Qarku Fier nuk ka kryer asnjë mostër për katër vite. Në Vlorë u kryen vetëm 7 nga 17 mostrat e planifikuara. Në Gjirokastër u kryen 98 mostra, por për secilën u analizua vetëm një parametër. Ndërkohë Korça shënoi anomalinë e vetme me rritje të pakontrolluar të mostrave, nga 11 të planifikuara në 94 të kryera. Auditorët konstatuan se analiza të rëndësishme mikrobiologjike apo kimike nuk kryhen dhe një pjesë e mirë e treguesve mbetet jashtë kontrollit.
Situata paraqitet edhe më problematike në Pikat e Inspektimit Kufitar. Në PIK Durrës nuk është marrë asnjë mostër për ujin e ambalazhuar të importuar që nga janari 2023. Strukturat e AKU kanë deklaruar se nuk e kryejnë kontrollin për shkak të mungesës së tarifave të shërbimit në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë. Auditorët nënvizojnë se ky interpretim ka pezulluar kontrollin e një prej kategorive më të ndjeshme të produkteve që hyjnë në vend.
Raporti i KLSH përfundon se institucionet nuk kanë garantuar mbrojtjen e konsumatorit. Procedurat për licencimin e burimeve ujore dhe stabilimenteve kanë mangësi serioze. Laboratorët nuk plotësojnë kriteret e detyrueshme. Analizat nuk kryhen sipas planit. Bashkëpunimi mes institucioneve mungon. KLSH ka dhënë rekomandime me afate të detyrueshme dhe i ka kërkuar institucioneve të rishikojnë procedurat, të akreditojnë laboratorët dhe të vendosin kontroll të plotë nga burimi deri te tregu


