Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Michigan të SHBA-së, ku një 44-vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri jashtë restorantit ku ai punonte.
Mediat amerikane bëjnë të ditur se një i dyshuar është marrë në paraburgim për ngjarjen, e cila ndodhi në orën 9:38 të mbrëmjes në Prime 7 Bar & Restaurant, 635 Cooley Lake Road, në Commerce Township.
Policët që mbërritën në vendngjarje identifikuan viktimën si Françesk Shkambi, 44 vjeç banues në Howell. Ai u gjet i shtrirë në verandën jashtë restorantit dhe u transportua në një spital lokal, ku më vonë ndërroi jetë.
Shkambi ishte menaxheri i përgjithshëm i restorantit Prime 7. Burimet i thanë FOX 2 se Shkambi kishte marrë një telefonatë, kishte dalë nga restoranti dhe ishte qëlluar.
I dyshuari, i identifikuar si një banor 65-vjeçar i Farmington Hills, u dorëzua. Sherifi Michael Bouchard tha se i dyshuari dhe viktima e njihnin njëri-tjetrin për një periudhë kohore përpara se një mosmarrëveshje midis të dyve të përshkallëzohej në ngjarjen fatale. Shkambi u qëllua dy herë. Bouchard shtoi se i dyshuari e rrëfeu krimin dhe arsyen pse qëlloi viktimën


