Ilir Alimehmeti më i qarti në PD: Analizë, rinovim, protestë

spot_img
Advertisements

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se protesta e një dite më parë nuk ishte organizuar siç duhej dhe se PD duhet të ndërmarrë forma shumë më të forta reagimi. I ftuar në emisionin “Off The Record” në A2 CNN, Alimehmeti theksoi se ajo që PD e quajti protestë, ishte në fakt një platformë e butë diskutimi, e cila nuk mund të gjeneronte pjesëmarrjen e kërkuar.

“Nevojiten protesta të fuqishme, dinamike, energjike dhe të vazhdueshme. Ka forma të ndryshme ndërhyrjeje: ngujim, grevë urie, dhe shumë mjete të tjera të forta që mund të përdoren,” – u shpreh ai. Sipas Alimehmetit, demokratët do t’u përgjigjeshin këtyre formave radikale, por jo një aktiviteti të zbehtë si ai i një dite më parë.

Ai shtoi se PD duhet të konsultojë strukturat dhe anëtarësinë përpara çdo veprimi: “Duhet të ishim pyetur. Duhej të ishte një kauzë më e fortë dhe më e qëndrueshme.”

I pyetur nëse ishin bërë mirë llogaritë, Alimehmeti u shpreh prerë: “Jo, llogaritë nuk janë bërë mirë. Protesta ka tre elemente kyçe: kauzën, organizimin dhe përfaqësimin. Kauza është e drejtë dhe nuk diskutohet, por organizimi ka çaluar dhe përfaqësimi ka qenë i dobët.”

Ai kritikoi sidomos faktin që protesta u udhëhoq kryesisht nga deputetë të dalë nga listat e mbyllura, të cilët, sipas tij, kanë nivel të ulët përfaqësimi publik: “Këta deputetë nuk kanë qenë në terren dhe përfaqësimi i tyre është i dobët.”

Ai ka shprehur hapur edhe zhgënjimet, kritikat dhe propozimet për gjendjen aktuale të partisë më të madhe opozitare në vend.

Sipas tij, PD ka dështuar të mbajë premtimin për analizën zgjedhore, duke ngritur dyshime për transparencën e brendshme: “Analiza zgjedhore është premtuar prej kohësh. OSBE/ODIHR doli. S’ka asnjë arsye që kjo të mos bëhet. Nëse nuk bëhet, do të thotë se diçka po i fshihet demokratëve. Këtu ka një përgjegjësi që dikush nuk po merr”.

Ai paralajmëroi se mungesa e meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë rrezikon rëndë demokracinë e brendshme të PD-së.

Sipas Alimehmetit, zemërimi i madh publik ndaj qeverisë nuk po shndërrohet në mbështetje të opozitës për shkak të problemeve të brendshme: “Nëse meritokracia nuk kthehet dhe përfaqësimi nuk kthehet, kemi problem të madh në kapitalizimin e zemërimit masiv ndaj qeverisë.”

Ai theksoi se qytetarët e kuptojnë menjëherë kur mungon transparenca dhe drejtësia në vendimmarrje.

Alimehmeti bëri thirrje për ristrukturim të plotë të Partisë Demokratike: “Për të rrëzuar këtë regjim na duhet një riorganizim kokë e komb i PD-së. Në pak javë, pak muaj, kjo gjë duhet të ndodhë.”

Ai kërkoi një census të ri të brenda Partisë Demokratike.

“Ne kemi disa lista dhe disa realitete fizike. Duke mos thënë që këto lista janë fiktive, që shërbejnë për votimet e brendshme, por që në të vërtetë nuk janë aty. PD ka nevojë për një census.

E di që ato lista janë fiktive shërbejnë për votime të brendshme që bëhen lëvizjet që bëhen. Ka mijëra njerëz që kontribuojnë. Por nuk janë sa janë në atë listë. Duhet një riorganizim kokë e këmbë. Më mirë 2 dhe jemi 2 dhe jo 42 dhe nuk janë aty”, – tha Alimehmeti.

Ish-kandidati për deputet, deklaroi se Oerd Bylykbashi nuk duhet të jetë më bashkëkryetar i komisionit për reformën zgjedhore. Ai u shpreh se Bylykbashi e pranoi se Kodi me të cilin u shkua në zgjedhjet e fundit ishte i gabuar dhe për këtë arsye nuk duhet të qëndrojë në të njëjtin vend, ku mund të bëjë dhe një gabim të dytë.

“Kodi Zgjedhor i realizuar në 2024 ishte një gabim dhe ia kam thënë më herët dhe zotit Bylykbashi. Por kjo do të thotë që kur bën një gabim nuk mund të jesh në të njëjtin pozicion të bësh një gabim të dytë. Sivjet ndryshimi është që nga votat PS mund t’i bëjë vetë ndryshimet.

PD duhet të mbajë qëndrime të prera dhe duhet të marrë vendime dhe nga strukturat e PD. Nëse nuk diskutohet kemi një problem të brendshëm. PD e ka pasur në dorë, tani çdo gjë e ka PS. Bylykbashi e mbrojti në 2024 dhe më pas tha është një kod i gabuar, o nuk e ka kuptuar o ka një problem”, – tha Alimehmeti.

Latest articles

Related articles