Gazeta spanjolle, El Pais ka shkruar sërish një artikull, lidhur me biznesmenin shqiptar Luftar Hysa, i cili u sanksionua nga SHBA së bashku me familjen e tij. Këtë herë, El Pais ka përmendur edhe Presidentin amerikan, duke theksuar se Qeveria e Donald Trump ka goditur këtë javë zemrën e financave të organizatës kriminale që kontrollohet nga trashëgimtarët e Joaquín El Chapo Guzmán dhe Ismael El Mayo Zambada.
Në artikull më tej thuhet se, Departamenti Amerikan i Thesarit ka bllokuar perandorinë e bizneseve të familjes shqiptare Hysa dhe rreth dhjetëra kazinove për pastrim të dyshuar parash në favor të bandës. Pra, administrata Trump ka bllokuar financiarisht gjashtë anëtarë të familjes Hysa, bashkëpunëtorin e tyre meksikan Gilberto López dhe rreth 20 kompani në Meksikë, Kanada dhe Poloni.
El Pais nënvizon më tej se 57-vjeçari Luftar Hysa është një nga shtyllat kryesore të organizatës, duke udhëtuar vazhdimisht mes Meksikës dhe Kanadasë. Gjithashtu në artikull shkruhet se bazuar në mënyrën se si operojnë këto organizata familjare shqiptare, ka arsye për të menduar se individët e familjes Hysa, të vendosur në Meksikë, mund të jenë pjesë e një rrjeti kriminal më të madh me lidhje me klane të tjera shqiptare.

Artikulli i El Pais:
Nga dritat e makinave të lojërave të fatit dhe kuzhinës gourmet, te dyshimet për pastrim parash për Kartelin e Sinaloas. Qeveria e Donald Trump ka goditur këtë javë zemrën e financave të organizatës kriminale që kontrollohet nga trashëgimtarët e Joaquín El Chapo Guzmán dhe Ismael El Mayo Zambada. Departamenti Amerikan i Thesarit ka bllokuar perandorinë e bizneseve të familjes shqiptare Hysa dhe rreth dhjetëra kazinove për pastrim të dyshuar parash në favor të bandës.
Raporti i fundit i Zyrës së Krimeve Financiare (FinCEN) shpjegon një rrjet të ndërlikuar që përfshin kompani fasadë, transferta miliona dollarëshe jashtë vendit dhe pagesa për kartelin përmes këtyre kazinove. Ajo që dukej një histori suksesi me bare, kazino, restorante luksoze, kompani energjie dhe tregtare veshjesh, është shndërruar në një makth. Familja shqiptare Hysa dhe 20 prej kompanive të tyre janë tashmë në shënjestër të SHBA-së, në kuadër të ofensivës financiare të Trump kundër karteleve meksikane.
“Grupi i krimit të organizuar Hysa, i përbërë nga Luftari, Arbeni, Ramizi, Fatosi dhe Fabjoni, ka përdorur ndikimin e tyre përmes investimeve dhe bizneseve të ndryshme në Meksikë për të larë paratë e trafikut të drogës. Besohet se ky grup operon me pëlqimin e Kartelit të Sinaloas,” tha Thesari.
Si pasojë, administrata Trump ka bllokuar financiarisht gjashtë anëtarë të familjes Hysa, bashkëpunëtorin e tyre meksikan Gilberto López dhe rreth 20 kompani në Meksikë, Kanada dhe Poloni.
Sipas hetimit të SHBA-së, 57-vjeçari Luftar Hysa është një nga shtyllat kryesore të organizatës, duke udhëtuar vazhdimisht mes Meksikës dhe Kanadasë. Një figurë tjetër kyçe në kontrabandën e sasive të mëdha të parave në dorë, sipas Thesarit, është Arben Hysa, pronar dhe drejtor i disa kompanive të korporatës. Po ashtu, autoritetet amerikane theksojnë se Fatos dhe Fabjon Hysa kanë qenë të përfshirë në përdorimin e një entiteti me bazë në Evropë për t’u pasuruar përmes pastrimit të fondeve të paligjshme që u përkisnin trafikantëve të drogës.
Pas hetimeve, Thesari njoftoi ngrirjen e të gjitha aseteve të individëve dhe kompanive të përmendura në SHBA dhe ndaloi qytetarët amerikanë të kryenin transaksione me to. Nuk është hera e parë që hija e narkotrafikut bie mbi bizneset e Hysëve. Edhe pse familja mban profil të ulët, në shtator 2022 Luftar Hysa botoi në disa media një deklaratë ku mbronte veten kundër akuzave për lidhje me Kartelin e Sinaloas, veçanërisht me El Mayo Zambada.
Në atë kohë, Luftari mohoi çdo lidhje me aktivitete të paligjshme. Inxhinieri dhe biznesmeni tha se kur emigroi në Meksikë në vitin 2004, kërkonte vetëm të dilte nga kriza e vendit të tij: “Unë, Luftar Ali Hysa, asnjëherë i dënuar, asnjëherë i proceduar, asnjëherë i arrestuar, deklaroj se nuk kam pasur asnjë problem me drejtësinë në jetën time. Të gjitha problemet që kam pasur në jetë kanë qenë me padrejtësinë,” deklaroi ai.
Tre vite më parë, Luftar Hysa bëri një mbrojtje të fortë për ligjshmërinë e bizneseve të tij dhe të familjes. Ai tregoi një jetë me sfida, emigrim dhe diskriminim.
“Ditën kur ika nga Shqipëria, synimi im i vetëm ishte t’i ikja varfërisë për veten dhe familjen time, dhe të kërkoja mundësi të reja zhvillimi. Gjithmonë kam mbrojtur me krenari kombësinë time. Me të njëjtën krenari dua të theksoj se në kompanitë, që unë dhe vëllai im kemi krijuar, punësojmë më shumë se 1.500 persona vetëm në Meksikë,” tha ai atëherë.
Ai po ashtu tregoi udhëtimin e tij nga Shqipëria drejt Afrikës së Jugut e pastaj në Peru, derisa mbërriti në Meksikë në 2004.
“Nuk është hera e parë që më sulmojnë, është konkurrenca që më sulmon. Janë fjalë të liga. Nuk e njoh Ismael El Mayo, kurrë s’e kam parë. Aftësitë e mia janë karizma dhe aftësia për të bërë biznes,” u shpreh ai para mediave shqiptare.
Përkohësisht larg vëmendjes, familja Hysa është sërish në bankën e të akuzuarve për lidhje të dyshuara me narkotrafikun. SHBA thotë pa hezitim se klani Hysa ka ngritur një sistem të ndërlikuar për pastrimin e parave të Kartelit të Sinaloas përmes kazinove, restoranteve dhe kompanive fasadë. Sipas OFAC, ky model e ka forcuar bandën, që deri para pak vitesh drejtohej nga El Chapo. Thesari thotë se Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë bashkëpunuar me një shtetas amerikan për pastrim parash, përfshirë transportimin e sasive të mëdha të parave nga Meksika në SHBA.
Mes kompanive të kontrolluara nga Hysa që janë sanksionuar financiarisht nga SHBA janë: Bliri; Cucina Del Porto; Diversiones Los Mochis; El Arte de Cocinas y Beber; Entretenimiento Villahermosa; Entretenimiento y Espectáculos; Grupo Internacional Canhysamex; H Hidrocarburos Hysa Forëarders; LH Pro-Gaming; Procesadora de Alimentos HS; Rosetta Gaming; Hysa Holdings, e të tjera. Rrjeti i tyre shtrihet në Nuevo León, Sinaloa, Sonora dhe Baja California.
El Mayo dhe lidhja meksikano-shqiptare
Dyshimet për praninë e narkotrafikut në shtete të ndryshme, si dhe pastrimin e parave përmes kazinove dhe investimeve imobiliare, nuk janë të reja. Në 2023, gazetarja Jesusa Cervantes raportoi se kompania Procesadora de Alimentos HS —një nga ato të listuara nga OFAC— kishte marrë leje nga ish-kryebashkiakja e Rosaritos, Hilda Araceli Brown, për shitjen dhe konsumin e alkoolit në restorantin Ochuna, brenda kazinosë Midas. Kjo është një nga kazinotë e akuzuara nga SHBA për pastrim parash.
Brown, tani deputete e partisë qeverisëse Morena, u sanksionua gjithashtu nga OFAC në shtatorin e kaluar për lidhje të mundshme me Kartelin e Sinaloas, bashkë me gjashtë persona dhe 22 kompani. Ajo akuzohet se ka mbledhur pagesa shantazhi për këtë organizatë dhe se ka ndihmuar në fshehjen e operacioneve të tyre gjatë mandatit të saj (2021–2024).
Një element i veçantë në këtë histori është prania e supozuar e grupeve kriminale shqiptare në Meksikë. Sipas ekspertit të sigurisë publike Víctor Sánchez, lidhjet mes një rrjeti shqiptar dhe Kartelit të Sinaloas lidhen, sipas burimeve të sigurisë, vijnë përmes El Mayo-s. Sánchez shpjegon se mafiet shqiptare operojnë kryesisht në portet kryesore të Evropës dhe pastrojnë fitimet e tyre në projekte ndërtimi, komplekse turistike dhe prona të tjera.
“Për organizatat meksikane ka qenë një biznes i leverdishëm të krijonin aleanca me këto klane, sepse jo vetëm ishin blerësit e tyre kryesorë për drogën që shkon në Evropë, por edhe i ndihmonin me pastrimin e parave në tregje ku ishte shumë më e vështirë t’i gjurmoje,” tha ai.
Ai shton se, bazuar në mënyrën se si operojnë këto organizata familjare shqiptare, ka arsye për të menduar se individët e familjes Hysa, të vendosur në Meksikë, mund të jenë pjesë e një rrjeti kriminal më të madh me lidhje me klane të tjera shqiptare.
Eksperti vëren se investimet e krimit të organizuar në kazino nuk janë ndonjë risi. “Ndodh në të gjithë botën,” thotë ai, sepse këto biznese raportojnë shuma shumë më të ulëta se ato që realisht lëvizin. Ai përmend edhe dy milionë dollarët e zbuluar nga OFAC, për të cilët foli edhe sekretari i Sigurisë, Omar García Harfuch. “Janë operacione shumë të vështira për t’u audituar,” shton ai.
Ai thekson se ajo që ka ndodhur në Evropë, ku karteli ka pastruar para, po pasqyrohet edhe në territore të Meksikës ku karteli është pozicionuar, si Baja California, Sur dhe Sonora, ku vitet e fundit janë ngritur hotele të reja, qendra nate, restorante e spa.
‘Modus operandi’ i kazinove
FinCEN ka vënë nën hetim 10 kazino në Meksikë për dyshime të forta për pastrim parash. Në dokumentet e paraqitura nga OFAC, përshkruhet se si kazinotë Midas, Emine, Mirage, Palermo dhe Skampa në Shtetet Sonora, Sinaloa, Baja California dhe Tabasco dyshohet se lehtësuan pastrimin e më shumë se dy milionë dollarëve në pagesa të paligjshme për Kartelin e Sinaloas midis viteve 2017 dhe 2024.
Sanksionet e SHBA u publikuan një ditë pasi Ministria e Financave e Meksikës njoftoi bllokimin e llogarive bankare të 13 kazinove kombëtare. Hetimet zbuluan transaksione në para të gatshme, lëvizje ndërkombëtare dhe përdorim të platformave digjitale jo të mbikëqyrura.
FinCEN specifikon se drejtues të lartë të kazinosë Midas në Mazatlán jepnin çdo muaj shuma të mëdha parash për këtë organizatë kriminale si pjesë e një marrëveshjeje me një drejtues të lartë të kartelit. Po ashtu, kazinotë Emine (San Luis Río Colorado), Palermo (Nogales), Skampa (Ensenada) dhe Mirage (Culiacán) drejtoheshin nga e njëjta strukturë, i cili kryente pagesa të rregullta drejt kartelit. Marrëveshja përfshinte edhe filialet e tjera të tyre në Agua Prieta, Guamúchil, Los Mochis, Mazatlán dhe Rosarito, si edhe kazinonë Skampa në Villahermosa.
Sipas dokumentit, drejtuesit e kazinove morën udhëzime të detajuara nga karteli për të shmangur zbulimin nga kontrollet bankare kundër pastrimit të parave. Organizata urdhëroi që të bëheshin jo më shumë se dy depozita në llogari të caktuara dhe secila të mos e kalonte shumën prej 90.000 pesos (rreth 4.354 dollarë). Gjithashtu u kërkua që të mos bëheshin depozita në ditë radhazi për të shmangur bllokimet. Një tjetër mundësi ishte që një drejtues i lartë i kartelit të merrte vetë paratë fizikisht në kazino Midas.
“Si provë e këtyre përpjekjeve për fshehje, struktura drejtuese e kazinosë mori udhëzime për mënyrën e pagesave ndaj Kartelit të Sinaloas, duke përdorur më shumë se 30 llogari bankare të kompanive meksikane për të bërë depozita në para të gatshme,” përfundon dokumenti.


