Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili në një intervistë televizive u tregua i kujdesshëm kur u pyet për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë, konkretisht për tunelin e Llogarasë.
Gonzato theksoi: “Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore.”
Por Bardhi e sulmoi ambasadorin, duke theksuar se kush flet për prezumimin e pafajësisë pa përmendur nevojën për barazinë përpara ligjit, bëhet thjesht “zëdhënës i korrupsionit qeveritar”:
“Parimi i ‘prezumimit të pafajësisë’ është vlerë europiane, po aq sa respektimi i parimit të ‘barazisë përpara ligjit’. Cilido që flet për prezumimin e pafajësisë, pa theksuar nevojën që ka Shqipëria për barazinë e të gjithëve para ligjit, bëhet thjesht zëdhënës i korrupsionit qeveritar”, tha Bardhi.
Ai shtoi se Shqipëria ka vuajtur më shumë nga cenimi i barazisë përpara ligjit, ku disa individë konsiderohen “të paprekshëm”, dhe se lufta kundër pandëshkueshmërisë ishte objektivi kryesor i Reformës në Drejtësi.
Bardhi kujtoi gjithashtu se Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi është provuar se procedura e tenderit për tunelin e Llogarasë ishte paracaktuar për fituesin.
“Belinda Balluku nuk mund të përdorë pushtetin ekzekutiv për të intimiduar dëshmitarë, për të prishur prova, për të korruptuar. Ajo duhet të përballet me drejtësinë pa petkun e pushtetit si numri 2 i Qeverisë shqiptare dhe duke respektuar parimin e barazisë përpara ligjit,” përfundoi Bardhi.


