Një rrëfim për familjen dhe historinë e dhimbjes në diktaturë, për përballjen si gazetare me prokurorët e diktaturës dhe një libër investigativ për elitën komuniste dhe grabitjen e parave të shqiptarëve.
“Vetëm 20 ditë ishin që kisha ardhur në këtë botë kur babain e arrestuan për agjitacion e propagandë. E njoha pas 10 vitesh, kur u lirua…”, është një rrëfim për një histori dramatike të jashtëzakonshme të gazetares Lindita Çela, e cila njihet si gazetare e spikatur investigative. Kurrë nuk kishte rrëfyer të shkuarën e dhimbshme të familjes së saj në diktaturë e as përpjekjet e saj për të zbardhur të vërtetën e dhunës në diktaturë.
Në një intervistë për Tema, ajo rrëfen historinë e familjes, por edhe përvojën si gazetare me xhelatët e diktaturës. Intervistat që ka realizuar me ish-policë që kanë vrarë kundërshtarë të regjimit, ish-prokurorë që i kanë dënuar me pushkatim, apo edhe përvojat unike me të vejnë e diktatorit, Nexhmije Hoxhën.
Ajo flet për pendesën që nuk erdhi kurrë nga ata që bënë krime gjatë diktaturës komuniste. Aq më pak e do të ishte e mundur një ndjesë e kërkuar prej tyre.
Të zhdukurit gjatë diktaturës që nuk janë gjetur, e madje me ligj ndalohet të kërkohen, është ndër njollat shumë të errëta të shoqërisë dhe institucioneve shtetërore. Një ngjarje në Pogradec, ku ishin identifikuar varre masive të vrarësh në diktaturë, do ta përballte Linditën me një ish-polic që kishte qenë në togën e pushkatimit. Ai ishte ofruar të ndihmonte në gjetjen e vendvarrimeve të tjera që dyshohej se gjendeshin aty afër në Pogradec, të pushkatuar gjatë regjimit.
Sepse gjatë diktaturës, kur një person shpallej armik i popullit dhe pushkatohej, familja nuk kishte të drejtë të merrte trupin e tij. Ata varroseshin në fshehtësi. Pas vitit 1990, familjarët nisën t’i kërkonin dhe padyshim, ndihma kërkohej nga ata që i vranë dhe i varrosën. Një rast i tillë: Lindita kishte shkuar të ndiqte ngjarjen si gazetare dhe padyshim, si e tillë, do të kërkonte një intervistë me ish-policin i cili kishte qenë në togën e pushkatimit.
Gazetarja Çela rrëfen përballjen e parë, bisedën me të dhe reagimin e pashëmbullt për pyetjen: “A je penduar?”. Një përvojë e ngjashme me prokurorin që kishte dënuar me pushkatim njerëz të pafajshëm dhe përballja me të vejn e diktatorit.
Momenti i kthimit të babait nga burgu, kur Lindita ishte 10 vjeçe. Përjetimi i atij takimi dhe tronditja kur mësoi spiunin që e denoncoi të atin. Kalvari i vuajtjeve të familjes dhe më pas rrëzimi i diktaturës, zhgënjimi dhe elita e re që na erdhi prej diktaturës.
Lindita Çela është duke punuar për një libër investigativ që flet për udhëheqjen e diktaturës që grabiti jo vetëm shpirtin dhe lirinë e një kombi, por edhe paratë e tyre. Cili është roli i elitës së re në këtë grabitje? Ndiqni intervistën e gazetares Lindita Çela


