nga Indrit Vokshi
Familja tradicionale ka kohë që është shkatërruar. Shihni komentet e vajzave e grave të reja në faqe si Anabel apo GraVajza. Mbi 50% e tyre shkruajnë me përçmim apo mosdurim për prindërit e burrit.
Është krejt normale të duan privatësi. Krejt normale të duan shtëpi veç. Mirëpo mënyra e shprehjen me përçmim apo armiqësi për vjehrrinë, nuk është hiç e nevojshme. Përgjithësisht, pa përgjithësuar totalisht, këto lloj vajzash janë reflektim i frustrimeve të nënave të tyre në raport dhe familjem e burrit dhe e përcjellin ketë lloj edukate edhe te vajzat.
Familja tradicionale është familja e cila nuk i këput hallkat, ka në përbërje prindërit, fëmijët e martuar dhe nipa e mbesa, pastaj vëllezër e motra rreth e rrotull. Kjo quhet familje tradicionale dhe kjo është shkatërruar tashmë, është relike e historisë.
Kjo e sotmja nuk quhet më tradicionale. Është familja burrë-grua, plus ndonjë qen apo mace.
Thënë kështu, familjen tradicionale e ka shkatërruar ndryshimi demografik, lëvizja prej vendeve të origjinës drejt qyteteve e periferive. E ka shkatërruar teknologjia dhe propaganda; kjo e fundit i ka normalizuar dhe “fisnikëruar” disa sjellje të cilat deri dje quheshin turp.
Sa iu përket ligjeve për të përmendur “diversitet gjinish”, ky është koncesion i shqiptarëve kundrejt një superstrukture si BE. Në një mardhënie negociatash dhe kapitujsh për anëtarësim ti merr atë çka është e rëndësishme për ty, merr disa investime dhe disa të drejta për tregti e ushtrim profesionesh. Dhe jep atë çka është e rëndësishme për ata, i hap derën një “kolonizimi kulturor”.
Faj i klasës politike shqiptare është se nuk ka fuqi dhe dinjitet për ta negociuar më mirë dhe më me leverdi ketë mardhënie.
Këtu ska as konservatorë të vërtetë, as liberalë të vërtetë, as shtetarë të vërtetë. Ka sundimtarë dhe tifozeri të tyre.


