Republika e hipokrizisë: pushteti, opozita dhe media në një skenë të përbashkët

spot_img
Advertisements

Nga Taulanda Jupi

Ka një plagë më të thellë se korrupsioni, më të dëmshme se varfëria, më tinzare se dhuna institucionale, është hipokrizia politike.

Hipokrizia politike nuk është thjesht një sjellje individuale, por një strukturë morale e shoqërisë shqiptare.

Ajo është arsyeja pse çdo reformë, çdo nismë apo projekt politik nis me shpresë dhe përfundon me zhgënjim, pse çdo ideal kthehet në interes dhe premtimet për ndershmëri, përfundojnë duke prodhuar mashtrim.

Në Shqipëri, hipokrizia politike nuk është përjashtim, por është rregulli i lojës.

Politikanët që arrijnë të hyjnë në ingranazhin e sistemit politik mësojnë shpejt logjikën e mbijetesës: thuaj atë që duhet për të marrë pushtetin, bëj çfarë duhet për ta mbajtur.

Ai apo ajo që nuk përshtatet me këtë sistem, që përpiqet të sjellë një model tjetër në shërbim të ndryshimit dhe zhvillimit nxirret jashtë sistemit si një shembull që nuk duhet ndjekur.

Në themel të kësaj krize qëndron pikërisht hipokrizia dhe mungesa e integritetit personal. Në politikën shqiptare, nuk matet më karakteri, nuk maten më profesionalizmi, integriteti, qëndrimet politike apo betejat që bën në shërbim të shoqërisë por bindja e verbër ndaj atij që drejton, aftësia për të mashtruar bukur, dhe “fleksibiliteti” i shtyllës kurrizore, mundësisht mos të kesh fare këtë të fundit është një nga vetitë e preferuara për të zhvilluar ambicjet politike në Shqipëri.

Integriteti, morali politik e qytetar që duhet të ishte themel i besimit publik, sot shihet si pengesë për karrierën politike, madje shpesh edhe në karrierën profesionale.

Sistemi nuk shpërblen njerëzit me ndërgjegje, por ata që kanë aftësinë për t’u përshtatur me mashtrimin.
Kështu ka lindur dhe është kalçifikuar një kastë e politikanëve pa moral, pa ideal dhe pa parime.

Kjo mungesë integriteti ka shkatërruar kuptimin e vetë politikës si mision publik.
Në vend të shërbimit ndaj shoqërisë, politika është bërë profesion i pushtetit personal.
Ndërgjegjja nuk është më busull, por pengesë.
Ndaj, korrupsioni nuk është shkak, por pasojë, pasojë e një morali të përmbysur.

Fjalët “reformë”, “integritet”, “përgjegjësi”, “komb” “shërbim” “ interes publik” “parime” etj, janë bërë etiketa të zbrazëta për konsum publik.
Për pasojë, morali politik është zëvendësuar nga performanca, një skenë ku secili luan rolin e “të drejtit” përpara kamerave, ndërsa në prapaskenë nënshkruan marrëveshje që shkatërrojnë standartet demokratike dhe dëmtojnë interesin publik.

Hipokrizia politike nuk do të mbijetonte pa bashkëfajësinë e disa grupeve mediake, të cilat në vend që të jenë pasqyra e realitetit, janë shndërruar në kozmetikë të klasës politike. Ato pastrojnë imazhet e politikanëve, qeveritarë apo opozitarë, fshehin dështimet, justifikojnë abuzimet dhe krijojnë një skenë të madhe ku pushteti dhe opozita luajnë rolet e tyre në një teatër të përbashkët. Në vend që të informojnë publikun, mediat shpesh prodhojnë një realitet të manipuluar që i shërben interesave të kësaj klase politike. Kështu është krijuar një “mafie e perceptimit” që kontrollon kush flet, kush dëgjojet e kush duhet të heshtë, e drejtuar jo nga interesi publik, por nga interesa ekonomike, klienteliste dhe politike.

Klasa politike, një pakicë e biznesit që i shërben dhe rritet e fuqizohet padrejtësisht nga kjo klasë politike dhe një pjesë e mediave dhe opinionbërësve, kanë krijuar një trinitet të fshehtë, që e kontrollon opinionin publik jo me dhunë, por me narrativa të përpunuara me lajme të zgjedhura, me opinione të paguar, me debate të fabrikuara. Në këtë mënyrë, qytetari nuk informohet, por përpunohet. Ai nuk sheh realitetin, por versionin e montuar të tij.

Hipokrizia nuk vret menjëherë dhe nuk ka ngjyrë politike, por në 35 vite si metastaza ka pushtuar çdo qelizë të shoqërisë dhe e ka kthyer në një trup amorf që nuk ndien më, as dhimbje, as revoltë, asgjë.
Kur një shoqëri nuk e ndien më dhimbje ajo është e paralizuar shpirtërisht dhe mendërisht.

Dhe sot në vend të reagimit, revoltës dhe rrebelimit kundër kësaj klase politike që sundon politikisht dhe ekonomikisht shoqëria shqiptare është për fat të keq e përkulur nën kryqin e rëndë të mosbesimit, e pafuqishme qoftë edhe për të ëndërruar ndryshimin.

Latest articles

Related articles