Studiuesi Taulant Muka ka dorëzuar pranë SPAK një dosje me akuza për plagjiaturë ndaj disa funksionarëve të lartë të arsimit të lartë në vend, mes tyre edhe rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.
Në një intervistë për “MCN Live”, Muka deklaroi se ka kërkuar zyrtarisht nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, duke akuzuar përfshirjen e disa drejtuesve universitarë në një grup të strukturuar që mbron plagjiaturën dhe abuzimet akademike.
Ne kemi probleme serioze në arsimin e lartë shqiptar.
Prej vitesh po shkatërrohet sistemi universitar për shkak të mosveprimit të politikës dhe qeverisë, e kjo ka sjellë mbrojtjen e plagjiaturës dhe të pseudo-profesoratit.
Sipas tij, teza e doktoraturës së rektorit Artan Hoxha është një kopje e plotë e një punimi të mbrojtur në Rumani, dhe për këtë arsye, ai nuk duhet të kishte kandiduar për postin e rektorit të Universitetit të Tiranës.
E çova çështjen në SPAK, sepse kemi të bëjmë me një rast flagrant. Rektori i UT ka kryer veprën penale të plagjiaturës në punimet e tij doktorale, me të cilat ka marrë titullin ‘Doktor Shkencash’. Kjo përbën një formë vjedhjeje akademike.
Prokuroria deri më tani nuk ka ndërmarrë veprime konkrete, gjë që sipas tij tregon se “shteti është vënë në mbrojtje të shkeljes, jo të shkencës”.
Në vend që të mbrohet integriteti akademik, po mbrohet vjedhja dhe karrierizmi.
Rektori i UT duhet të ishte nën hetim. Bëhet fjalë për një punim shkencor që është kopjuar pa asnjë ndryshim, ‘fjalë për fjalë’ nga një tezë e mbrojtur më parë në Rumani.
Studiuesi theksoi se është drejtuar zyrtarisht prokurorisë për të kërkuar që çështja t’i kalojë SPAK-ut, për shkak të nivelit të lartë të funksioneve që mbajnë personat e përfshirë.
Kemi kërkuar që gjykata të detyrojë prokurorinë të nisë hetimet përkatëse.
Nga ana tjetër kërkojmë që kompetencat ti kalojnë SPAK pasi kemi të bëjmë me drejtues të institucioneve të arsimit të lartë. Do të ndërmarrim edhe hapa të tjerë ligjorë.


