Dy pika shiu ranë mbi xham,
Dhe unë për një moment se ç’më kujtove ti, o Lali!
Ti që unë të kam qortuar për një mijë e një të këqija të Tiranës sonë.
Por edhe tani që ti nuk je,
Të këqijat vazhdojnë.
Inceneratorët vazhdojnë të punojnë, me fal, vazhdojnë të paguhen.
Shkollat vazhdojnë të jenë me turne.
Pensionistët vazhdojnë të mbajnë radhë për abonim.
OJF-të vazhdojnë të rruajnë lekët e donatorëve, madje edhe tonat.
Ambasadorët dhe donatorët vazhdojnë të na tregojnë se si zihet rakia dhe ndrohet gjinia.
Korsitë e bicikletave zgjerohen dhe ato të makinave ngushtohen;
Betonierët vazhdojnë dhe përdorin korsitë dhe trotuaret.
Autobusëve u shtohen vagonet dhe treni i Tiranës pritet në Kashar.
Parkingjet rrudhosen dhe policët bashkiakë krekosen me gjoba dhe në 3 të natës.
Sheshi gëlon nga qoftexhijët dhe birraritë, plot koncerte që lënë pa gjumë të gjithë familjet e qendrës.
Familjet vazhdojnë të shkojnë tek qendrat tregtare të oligarkëve. Aty të çojnë rrugët, të çojnë stacionet dhe të çojnë edhe vendimet e Bashkisë.
Gratacelat shtohen, lejet mbarështohen, tenderat pjellohen për zyrtarët e Bashkisë.
IMT vazhdon avazin dhe vë gjoba për vete, për shefin dhe për shtetin.
Uji ka dhe nuk ka, taracat janë plot me rezervuare dhe telat e internetit i kemi ende mbi kokë.
Ndërkohë që ti, Lali, je në Durrës.
Instalacionet artistike vazhdojnë dhe shtohen nëpër sheshe dhe rrugë. Tani janë prej druri. Jo si të tuat, prej teneqesh, o Lali.
Ja, sec ranë dy pika të tjera shiu mbi xham. Mirë e bëjnë që bien, se xhami është pis, ajri është pis, e Lana vazhdon të mbajë erë cic.
Pyes veten:
Mos valle, o Lali, nuk ishe ti, po ishte Partia?
Mos valle nuk është as Partia, sepse ato çadra me/pa leje që u hoqën ishin më së shumti të socialistëve e ndoshta më shumë të patronazhistëve.
Mos valle është Edi, o Lali, por ty të vjen turp ta pranosh, se të duket vetja kot pastaj.


