Ish-kryeministri Fatos Nano është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Prej më shumë se 3 javësh Nano gjendej i shtruar në një spital privat në kryeqytet në gjendje të rëndë.
Një prej politikanëve më të rëndësishëm të vendit në periudhën post-komuniste, Fatos Nano është “zhdukur” dhe “rikthyer” në shumë momente kyçe për vendin.
I lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha.
Ai ishte pjesë aktive e zhvillimeve të vrullshme politike që ndodhën në Shqipëri si edhe në çdo vend tjetër të bllokut të Lindjes.
E shpejtë ishte edhe ngritja e tij në detyrë. Në dhjetor 1990 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e një muaj më vonë zv.kryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e kryeministrit, me një mandat të përcaktuar: përgatitjen e tranzicionit të vendit drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut.
Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.



