Nesër seanca në Gjykatën Kushtetuese për Erion Veliajn, ku ai ka ankimuar vendimin për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për Mcn Live bën me dije se seanca publike që do të mbahet nesër do të transmetohet Live në kanalin në YouTube të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu bëhet me dije se Drejtoria e Burgjeve ka marrë masat për shoqërimin e Veliajt në gjykatë. Do të jetë hera e parë që kryebashkiaku do të shfaqet në publik pas arrestimit dhe do të shprehet kundër vendimit të ish-vartësve të tij në Këshillin Bashkiak.
“Përtej betejës penale ka nisur një tjetër betejë administrative me ish-vartësit, anëtarët e Këshillit Bashkiak, administratën e Bashkisë dhe qeverinë, që përmes një vendimi ka miratuar shkarkimin e kërkuar nga Këshilli Bashkiak. Me argumentin se ai s’është dëgjuar siç thotë legjislacioni, ky është një ndër argumentet që Veliaj dhe mbrojtja e tij do të përdorin para GJK.
Nga ana tjetër është edhe argumenti se ai s’ka munguar me dëshirë, por është në pamundësi për t’u paraqitur në punë. Qeveria me juristët e saj do të jetë e pranishme në Gjykatën Kushtetuese, ku do të mbrojë vendimin e Këshillit të ministrave, ku shkarkimi s’ka ardhur nga qeveria, por nga Këshilli Bashkiak që miratoi shpalljen e vakancës për shkak të mos paraqitjes së kryetarit në detyrë. Ajo çka nuk ndodhi në Këshillin Bashkiak ku Veliaj kërkoi të dëgjohej dhe Këshilli Bashkiak i tha se pretendimet mund t’i sillte përmes një letre dhe memoje, kjo e drejtë tashmë i është dhënë nga GJK.
Drejtoria e Burgjeve ka marrë masat që nesër paradite ai të shoqërohet në Gjykatën Kushtetuese. Për aq kohë sa është seancë publike, është detyrim ligjor që të jetë prania e medias. Do të aplikohet transmetimi i drejtpërdrejtë Live në kanalin në YouTube të Gjykatës Kushtetuese, ku do të dëgjohen të gjitha palët. Do të jetë një betejë interesante juridike, dhe do jetë po me interes, jo vetëm pamja fizike e ndryshimit të kryebashkiakut, por edhe fjala që do të mbajë, si do mbrohet para vartësve të tij, që me shumicë votash miratuan shkarkimin”


