Nga Virion Graçi
…kam harruar t’u them se kam lexuar këto ditë edhe librin e Antonio Çikollarit, “Pesë vdekje”. I marr me kureshtje të dyfishtë librat e rinj të autorëve të rinj. Prej tyre mëson si e sheh brezi i tyre jetën, shoqërinë; çfarë marrëdhëniesh ndjesore kanë me të kaluarën, me historinë, me mitet; si e perceptojnë veten dhe në çfarë binarësh rrëfimtare e vendosin lëndën e tyre, krahasimisht me traditën tonë të afërt e të largët.
Në biseda shoqërore me të rinj krijues, kam këshilluar vetëm një gjë: edukatën më të hershme ruajeni për marrëdhëniet e zakonshme, kur shkruani, ndiqni demonët tuaj krijues dhe u thoni, figurativisht, “ik mbushu”, çdo modeli a idhulli letrar që keni.
Antonio, edhe si përkthyes e bibliofil i shquar, ka takuar shumë shkrimtarë të njohur, nga të cilët, edhe ne të tjerët mund të kemi dashur të mësojmë. Antonio, me këtë libër, “Pesë vdekjet”, dëshmon se talenti i tij i lindur e ka asimiluar mësë miri letërsinë e madhe dhe ka filluar të skalitë profilin e tij si shkrimtar me të tashmen e me të nesërmen.



