Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë vendimin për një nga çështjet më të mëdha të mashtrimit kompjuterik në vend, duke dënuar 16 persona me burgime që variojnë nga 6 vite e 8 muaj deri në 8 vite.
Të pandehurit, mes tyre Bruno Çobo, Elisa Çaçi (Caci), Gilbert Palushani, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi) e të tjerë, u shpallën fajtorë për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, sipas neneve 143/b, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, ndërsa dënimet u reduktuan me një të tretën.
Më i dënuari është Bruno Çobo, me 8 vite burg. Elisa Çaçi dhe Gilbert Palushani morën nga 7 vite e 4 muaj, ndërsa pjesa tjetër e grupit u dënua nga 6 vite e 8 muaj deri në 7 vite e 4 muaj, në varësi të rolit në skemë.
Sipas gjykatës, grupi kishte ngritur një skemë mashtrimi digjital, përmes së cilës dëmtuan financiarisht një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Të gjithë do ta vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.
DËNIMET KRYESORE:
- Bruno Çobo, i konsideruar si një nga drejtuesit e grupit, u dënua përfundimisht me 8 vite burgim, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
- Elisa Çaçi (Caci) dhe Gilbert Palushani u dënuan me nga 7 vite e 4 muaj burgim secili.
- Aldo Pasku dhe Bruno Gjika morën dënime përfundimtare prej 6 vite e 8 muaj burgim.
- Dënime me 6 vite e 8 muaj burg u dhanë edhe për Rezarta Ibrahimin (Çaçi), Valbona Abedinajn, Orland Canin, Florjan Bregun, Hamit Dobin, Greta Gjocin (Pepën), Gjin Shelnishtën, Antoneta Malon (Pepkolaj), Silvana Veliun dhe Mojsi Zunën.
Gjykata urdhëroi që vuajtja e dënimeve të kryhet në burgje të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e ekzekutimit të masave të sigurimit.


