Izet Haxhia – Arben Ahmetaj – Altin Dumani | ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Dikur PS-ja “të vërtetën mbi Saliun” e ngriti mbi Izet Haxhinë.

Izeti plotësonte kushtet; duke qenë badigard i Sali Berishës ai kishte parë ngjarje dhe dinte sekrete. Fliste Izeti, dëgjonte populli.

Për “popullin e Ramës”, Izeti nuk ishte më as autor dhune, as autor krimesh, ishte falur e amnistuar. Sepse Izeti u bë trupi me gojën e të cilit fliste çdo socialist i ndershëm. Secili popull brenda popullit, dëshiron të ketë të vërtetën e vet.

Sot PD-ja ka “Izet Haxhinë” e vet, Arben Ahmetaj. Arben Ahmetaj nga tigri i korrupsionit, nga zv.kryeministër rilindas dhe tentakulë e Edvin Kristaq Drogës, na është kthyer në një trup, goja e të cilit flet të vërtetën që duan demokratët berishistë. Edhe Ahmetaj plotëson kushtet si Izet Haxhia, ka qenë afër, di ngjarje dhe sekrete për Edi Ramën. Këto janë atributet e duhura dhe mandej e vërteta e secilit është e pakontestueshme.

Si Izeti për socialistët si Arbeni për demokratët, prej persona të dyshimtë dhe “pjesë e krimit”, papritur trajtohen si njerëz me integritet, njerëz që nuk gënjejnë, njerëz të nderuar, më të nderuar se kushdo tjetër që ngre dyshime mbi ta e nuk iu beson. Sepse ata po thonë të vërtetën që do secili “popull politik” brenda Shqipërisë.

Si rregull e vërteta jonë e përbashkët duhej të ishin prokuroria dhe gjykata, SPAK dhe GJKKO. Por SPAK e GJKKO denigrohen çdo moment, akuzohen, shahen, fyhen me qëllim që të duken sa më të pabesueshëm, e me qëllim për tu intimiduar e për të mos u lejuar të hetojnë e gjykojnë më në thellësi.

Altin Dumanin, demokratët berishistë, duan ta paraqesin si më pak të besueshëm se Arben Ahmetaj; ata besojnë çfarë thotë Ahmetaj për SPAK-un, por nuk besojnë çfarë thotë SPAK-u për Ahmetajn, e quajnë hakmarrje të Edi Ramës. Duan ta paraqesin Dumanin si të lidhur me krimin, kjo me qëllim që akuza e tij zyrtare të jetë sa më e pabesueshme në popull.

Pa frikë mund të themi se partitë politike aktuale janë kthyer në tempuj malorë prej ku zbret “e vërteta”, secili tempull ka murgjit e vet dhe përcjell të vërtetën e vet tek popull i vet. Duan t’i zëvëndësojnë faktet me interpretimin e tyre mbi faktet.

E gjitha me qëllim për tia ulur prokurorisë e gjykatës kapacitetin për të hetuar dhe gjykuar. Sepse për një biznes-politikë të superpasuruar me vjedhje tokash, kontrabandë, korrupsion e trafiqe, armiku më i madh është një prokurori që guxon të hetojë dhe një gjykatë që guxon të gjykojë.

Deri para krijimit të SPAK, nuk e kemi pasur ketë debat, prokurorët e gjyqtarët kanë ndejtur urtë, politika ka vazhduar punën e vet duke u ushqyer me vjedhje e grabitje.

Tani që për arsye gjeopolitike prokuroria ka guxuar të hetojë si kurrë ndonjëherë më parë, ka shpërthyer edhe ky debat i madh mbi prokurorinë, se ska pasur ksi debati mbi prokurorinë.

A ka qenë puna në rregull e prandaj ska pasur debat? Jo. Ska pasur debat sepse ska pasur hetime dhe bosët nuk janë ndjerë të rrezikuar për tu goditur vetë apo në strukturat mbështetëse.

Latest articles

Related articles