nga Veton Surroi
- Tashmë duket të jetë koncensus i përgjithshëm se vendi shkon në zgjedhje parlamentare. Koncensusi është ndërtuar me besimin e përbashkët të partive parlamentare për pamundësinë që të krijojnë qeveri të re.
- Zgjedhjet e reja jo domosdoshmërisht do të prodhojnë një gjendje të lehtë e as mund të garantojnë se pas zgjedhjeve partitë do të dakordohen për të formuar një qeveri të re në një afat të shpejtë. Kriza e tanishme mund të zvarritet edhe pas zgjedhjeve.
- Partitë kanë interesat e tyre legjitime për apo kundër formimit të Qeverisë së re, por ato kanë poashtu obligim që përpjekja për interesat e tyre legjitime të zhvillohet në një kontekst që nuk i dëmton interesat thelbësore të vendit. Rreziqet imediate për interesat e vendit janë bllokimi eventual i financave publike dhe vendnumrimi karshi planit të rritës së BE-së.
- Para se të marrin vendimin e përbashkët për zgjedhje të reja (e të shpallur nga presidentja e vendit) partitë politike duhet të adresojnë këto dy interesa thelbësore, pra buxhetin për vitin 2026 dhe partneritetin me Bashkimin Evropian të formuluar me Planin e rritës.
- Buxheti i vitit 2026 në parametrat e sotëm zhvillimor- pa ndërhyrje drastike siç do të ishte ndonjë huamarrje e madhe- është i parashikueshëm dhe do të kishte pak ndryshime po të propozohej prej cilësdo parti. I miratuar gjatë kësaj jave buxheti i vitit 2026 mund të rishikohet para verës së ardhshme nga kushdo që ta formojë Qeverinë e ardhshme.
- Ratifikimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për Planin e Rritës do të ishte një akt koncensusi politik i cili shpërfaq koncensusin qytetar për reformim dhe integrim në BE. Ky do të ishte indikatori më i mirë i përcaktimit se pa marrë parasysh kush e formon Qeverinë e ardhshme , ekziston një pajtim i plotë për rrugën reformuese evropiane të Kosovës.
- Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë jo vetëm që ua mundësojnë Qeverisë dhe Kuvendit që deri në fund të kësaj jave të marrin vendimet e duhura, por edhe i obligojnë ato që të zbatojnë detyrat e duke adresuar seriozitetin e gjendjes. Qeveria e tanishme me kapacitet të një Qeverie që nuk e ka marrë besimin për mandat të ri dhe nuk është zëvëndësuar nga një Qeveri e re ka aftësi ligjore për të propozuar projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2025 dhe Kuvendi i cili është funksional deri në vendim shpërbërjeje ka mundësi dhe obligim përligje të tij. Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka kapacitet të plotë të ratifikojë Marrëveshjen për Planin e rritës.
- Arritja e një marrëveshje për shkuarje në zgjedhje të reja duhet të ndërlidhet me obligimin që kanë partitë politike që këtë ta bëjnë duke aprovuar buxhetin e vitit 2026 dhe duke ratifikuar Planin e rritës të BE-së.
- Java ka filluar me një trajtim joserioz të gjendjes nga aktorët politikë dhe institucional. Çështja e dakordimit për pikat koncensuale nuk pret ditë. Aktorët politikë dhe institucional kanë mundësi që këtë krizë të zgjatur të vitit të menaxhojnë me seriozitetin e duhur brenda kësaj jave, duke prodhuar një koncensus të ri.


