Pas më shumë se një dekade mungesë, stacioni i trenit në Tiranë do të rikthehet në vendndodhjen e tij historike. Projekti, që vlerësohet me 1.8 miliardë lekë, ka marrë dritën jeshile përmes ndryshimeve të buxhetit 2025, ku me Akt Normativ janë akorduar 364 milionë lekë të reja për financimin e tij.
Sipas relacionit shoqërues, segmenti i ri 4 kilometra i gjatë do të nisë nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe do të përfundojë në zonën e ish-stacionit të trenit, duke rikthyer lidhjen hekurudhore të kryeqytetit me Durrësin dhe Rinasin.
Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas pritet të përfundojë brenda vitit të ardhshëm, ndërsa elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohen në tre-mujorin e parë të vitit 2027.
ADVERTISEMENT
Aktualisht janë në zbatim dy kontrata kryesore: një për punimet civile dhe sistemet e sinjalizim–telekomunikacionit, ku sipas Hekurudhës Shqiptare është realizuar 90% e volumit, dhe tjetra për ndërtimin e stacioneve, ku punimet janë ende në fazën 25% të përfundimit. Për stacionet, finalizimi parashikohet në maj 2026.
Ndërkohë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po udhëheq procedurën me dy faza për elektrifikimin e linjës, një proces që do të përmbyllë gjithë sistemin modern të transportit hekurudhor.
Me fondet e reja të akorduara, pritet të shpallet gara tenderuese për kompaninë që do të ndërtojë segmentin 4 km dhe godinën e re të stacionit të trenit në Tiranë, duke i dhënë kryeqytetit një nyje të re transporti që pritet të transformojë lëvizjen ndërurbane dhe lidhjen me aeroportin e Rinasit.


