Këshilltarja e opozitës ne Keshillin Bashkiak te Lezhes dhe ish-drejtuesja e PD-së, Alfrida Marku, ka reaguar pas debatit të zhvilluar në seancën e sotme parlamentare, duke kritikuar mënyrën se si një pjesë e deputetëve të opozitës janë drejtuar ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. Marku shprehet se në vend që opozita të ngrejë zërin për problemet e qytetarëve, ajo po fokusohet në sulme ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Me aq zemërim e rebelim që shumë pseudo-deputetë i qenkan drejtuar Z. Dumani sot në seancë parlamentare, nuk i paskemi dëgjuar të flasin për problemet e qytetarëve. Edhe zhurma opozitare me regji ishte zëvendësuar me sulmet ndaj drejtësisë. Kjo është e vërteta e hidhur,” – shkruan Marku.
Ajo shton se opozita është sot viktimë e mungesës së alternativës dhe e përfaqësimit nga individë që, sipas saj, nuk kanë përgjegjësi politike apo morale për rolin që mbajnë.
“Opozita sot është viktimë e mungesës së alternativës, mungesës së përgjegjësisë, dhe e ‘përfaqësimit’ nga individë që janë produkt i luftës së detyruar ndaj drejtësisë për t’u mbrojtur nga padrejtësitë e tyre. Opozita sot është viktimë e individit që s’ka pushtet mbi veten!” – përfundon reagimin e saj Alfrida Marku.


