KQZ përjashtoi 1 kandidat nga zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit. Celibashi refuzoi të regjistrojë Gjergji Nikën, demokratin që vendosi si i pavarur të sfidojë PD dhe PS në Vlorë.
Nika aktualisht është këshilltar bashkiak i PD në Vlorë, por nuk regjistroi komiteti nismëtar për të mbledhur firma e garuar si i pavarur.
“Sipas kodit zgjedhor, neni 70 pika 4, një deputet, kryebashkiaku, deputeti dhe këshilltari bashkiak përjashtohen nga mbledhja e firmave, u njihet automatikisht”
Por kreu i KQZ nuk e regjistroi, pasi kjo do të vlente vetëm nëse Nika garonte si kandidat i një subjekti politik.
“Nga ta dimë ne qe ti s’je i një subjekti politik, por i pavarur. Kemi patur një precedent, e kemi sqaruar. Me keqardhje nuk mund tju regjistroj. Duhet të kishit ndjekur procedurën. Mund ta kontestoni sigurisht, por nuk regjistroheni”
Në Vlorë mbeten vetëm 2 kandidatë, Brunilda Mersini e PS dhe Sionis sota, i pavaruri i mbështetur nga PD. Kurse Gjergji Nika ka vetëm një mundësi, të ankohet në KAS dhe Kolegj Zgjedhor në rast se do të dojë të jetë kandidati i 3 në Vlorë. Ai akuzon Celibashin, se la qëllimisht jashtë garës, për të hapur në Vlorë një përballje vetëm PS-PD.
“Këtë shkelje flagrante e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që duhej të ishte garant i barazisë në zgjedhje duke u shndërruar në instrument abuziv në duart e politikës së vjetër. Vendimet e tij janë gjithnjë në sinkron me interesat e PD dhe PS, ndërsa çdo zë qytetar trajtohet si “incident” burokratik.”
Tepelena rrezikon të mbetet me vetëm 1 kandidat. KQZ zbuloi se kandidati 26-vjeccar i mbështetur nga Berisha, Gabriel Guma rezulton se është dënuar me 1.4 vite burg për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“KQZ ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Burgjeve. Ka informuar se nga gjendja gjyqësore, 27.2.2024, Gjykata e Vlorës e ka shpallur fajtor për shkelje të rregullave te qarkullimit, u dënua përfundimisht me 1.4 vite burg. Nuk është rehabilutar, është brenda kushteve të ndalimit të kandidimit”
Por PD, e mbrojti menjëherë kandidatin saj të pavarur.
“Ka pranuar gjykim të shkurtuar, është dënuar me vetëm 4 muaj. Më pas është dhënë shërbim prove prej 32 muajsh. Nuk është në kushtet e ndalimit. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nuk parashikohen tek kushtet e ndalimit. Është më pak se 6 muaj dënimi, nuk ndalohet.”- Marash Logu
Celibashi në këtë rast, vendosi të tolerojë kandidatin e pavarur, por pati edhe një paralajmërim për PD.
“Vendosim regjistrimin e z.Gabriel Guma. Mqs koha nuk është e mjaftueshme për të marrë përgjigjet mbi ccështjet që ka nevojë për tu sqaruar, do ti kërkojmë drejtorisë së burgjeve, sqarimet. Por, për mungesë të kohës, në vijim do të shohim sa të përputhura janë pretendimet tuaja.”
Ndalimit i shpëtoi edhe kandidati i pavarur i PD në Mat, Eduart Brahilika. Ai është arrestuar në vitin 2008 si drejtor i Burgut të Burrelit për arratisjen e 2 të dënuarve, por nuk ka vendim të formës së prerë.
KQZ hodhi edhe shortin e renditjes së kandidatëve në fletën e votimit. Në tre bashki, kandidatët e PS do të kenë nr.1, në Vlorë, Mat, Berat, kurse kandidatët e mbështetur nga PD, për ironi të fatit, në katër bashki, Vlorë, Mat, Berat, Cërrik do të kenë numrin që u korrespondon edhe simbolit të Berishës, nr.2.
Në Tepelenë, për simbolikë janë ndërruar numrat. I pavaruri Guma do të ketë numrin 1, kurse Gramoz Sako i PS numrin 2.
Celibashi në fund, vendosi një shenjë barazie, tek grupet e numërimit.
Celibashi: Grupet e numërimit me 4 anëtarë. 2 PS, 1 PD, 1 PL
RENDITJA E KANDIDATËVE NË FLETËN E VOTIMIT
VLORA
Brunilda Mersini (PS)
Dionis Sota (I pavarur, mbështetur nga PD)
BERAT
Ervin Ceca (PS)
Pavli Shkarpa (I pavarur, mbështetur nga PD)
CËRRIK
1.Eligert Hima (Shqipëria Bëhet)
2.Amarildo Hoxha ( I pavarur, mbështetur nga PD)
3.Florenc Doka (PS)
MAT
1.Altin Bojni (PS)
2.Eduart Brahilika ( I pavarur, mbështetur nga PD)
3.Suzana Pashja (E pavarur)
TEPELENË
Gabriel Guma (I pavarur, mbështetur nga PD)
Gramoz Sako (PS)


