Lajmi më i rëndësishëm i ditës së djeshme ishte dëbimi i Imran Hossein nga policia shqiptare, duke mos e lejuar të hynte në Shqipëri.
Hossein, një klerik 83-vjeçar nga Trinidad & Tobago, idhull botëror i fanatikëve islamikë, kishte planifikuar të shkonte në Durrës për të mbajtur një seri ligjëratash me një audiencë të madhe.
Atij i ishte prenotuar një dhomë luksoze në hotelin “Empire” në plazhin e Durrësit, vend që e kishte frekuentuar edhe më parë.
Kjo nuk ishte hera e parë që ai udhëtonte në Shqipëri, thuhet se ishte hera e tretë me ftesë të imamëve shqiptarë, me të cilët kishte lidhje të vjetra.
Siç mësohet, ndalimi për hyrjen e tij është bërë pas një kërkese amerikane, pasi Hossein ndodhet në listën e zezë të SHBA-së dhe i është ndaluar viza prej kohësh.
Imran Hossein, përfaqësues i shkollës selafiste, konsiderohet një nga imamët më me ndikim në botë dhe ka një rrjet të gjerë ndjekësish në rrjetet sociale.
Në predikimet e tij, kleriku latino-amerikan, i financuar nga Irani, njihet si një nga zërat më të fortë të propagandës xhihadiste dhe përkrahës i teorisë së përplasjes ndërmjet botës islame dhe asaj perëndimore.
Në ligjëratat e tij, Hossein nuk flet për besim apo moral fetar, por për politikë ndërkombëtare, gjeopolitikë, luftëra dhe strategji bërthamore.
Në platformën YouTube, ai shpërndan idenë e një apokalipsi botëror dhe të rikthimit të Jeruzalemit si qendër e një kalifati islamik, duke iu referuar periudhave të dinastive Abaside dhe Umajade.
Hossein ka shumë ndjekës edhe në Shqipëri, sidomos mes fanatikëve islamikë. Ai ka ardhur dy herë më parë për ligjërata në Durrës, ku personi i kontaktit në Tiranë është Olsi Jazexhi.
Dy javë më parë, Hossein mbajti një ligjëratë në Malajzi, nën moderimin e Olsi Jazexhiut, ku mori pjesë edhe një ish-ushtarak amerikan, i njohur si mbështetës i regjimit iranian.
Në ligjëratat e fundit, Hossein ka kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen e ndërmarrë nga presidenti amerikan Donald Trump, vendet arabe dhe Turqia për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Ai e ka quajtur këtë marrëveshje “Pax Judaica”, duke e përkufizuar si fazën e re të dominimit global hebraik, pas “Pax Americana”-s së pas Luftës së Dytë Botërore.
Mbështetësit shqiptarë të Hossein-it kanë përhapur njoftime se ndalimi dhe dëbimi i tij është bërë nën presionin e diplomatëve izraelitë në Tiranë, por burimet zyrtare konfirmojnë se kërkesa ka ardhur nga SHBA, që e konsiderojnë klerikun si një nga figurat që nxisin ekstremizëm dhe minojnë përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.
Kohët e fundit, edhe Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar hyrjen e tij në territorin britanik. Ky urdhër u aktivizua kur Hossein ndodhej në Londër, ku së bashku me disa klerikë hebrenj ortodoksë kishte kundërshtuar planin e paqes në Gaza.
Prej andej, ai u nis për në Shqipëri, ku synonte të qëndronte për një periudhë të gjatë. Sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit, autoritetet shqiptare morën njoftimin për ndalimin e tij dhe policia e dëboi nga vendi, pas një séance pyetjesh dhe procedurash, e cila është filmuar e dokumentuar.


