Nënkomisari Paulin Drolla, me detyrë shef rendi në Komisariatin e Policisë Vlorë, gjatë udhëtimit drejt Tiranës për ndjekjen e një trajnimi në Akademinë e Sigurisë, në dalje të tunelit të Krrabës, konstatoi një aksident rrugor ku ishin përfshirë dy automjete, njëri prej të cilëve kishte dalë nga rruga dhe brenda ndodhej një person i dëmtuar.
Duke qenë me veshje civile, Nënkomisar Drolla u prezantua si punonjës policie, veshi një jelek me mbishkrimin “Policia”, njoftoi ambulancën dhe shërbimet e Policisë Rrugore, si dhe mori masa për të shmangur përfshirjen e mjeteve të tjera, pasi njëri nga drejtuesit e automjeteve kishte dëmtime fizike dhe pamundësi për të lëvizur.
Pas mesazheve të dërguara nga disa qytetarë kalimtarë të rastit, prezentë në një aksident rrugor mëngjesin e djeshëm, në aksin Elbasan–Tiranë, të cilët panë reagimin e një punonjësi policie jashtë detyre, por që me profesionalizëm dhe humanizëm ndërhyri për t’u dhënë ndihmë të aksidentuarve dhe për të shmangur përfshirjen në aksident të automjeteve të tjera – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i ka akorduar Nënkomisarit Paulin Drolla Certifikatën për Shërbime të Dalluara.


