Kompania ju serviri shqiptarëve 7 tonë pjeshkë dhe rrush me pesticide të ndaluara

spot_img
Advertisements

Dy ngarkesa me fruta që duhet të ishin groposur, u futën në Shqipëri dhe iu servirën qytetarëve.

Më konkretisht, gjatë muajit shtator janë konsumuar 7300 kg pjeshkë të importuara nga Greqia me pesticidin e rrezikshëm “Phosmet”, përdorimi i të cilit është rreptësisht i ndaluar në vendet e BE dhe Shqipëri.

Në të njëjtin muaj nga Greqia u importua edhe 882 kg rrush me prani mbi normë të mbetjes së pesticidit “Propamocarb”, me risk për shëndetin e njeriut.

Televizioni “Ora News” i ka kërkuar informacion Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për subjektin importues të këtyre produkteve që kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Ky institucion edhe pse e ka detyrim ligjor, nuk bën transparencë me median dhe publikun dhe refuzon në mënyrë të prerë të bëjë publik emrin e subjektit.

Burime për “Ora investigim” bëjnë me dije se subjekti që futi në Shqipëri pjeshkët dhe rrushin me pesticidet e rrezikshme është “FRUIT CO”, me administrator z. Bardhyl Muça.

Vendndodhja e subjektit është Tregu Agro-Ushqimor, autostrada Tiranë-Durrës, kilometri 1.

Për sqarimin e situatës dhe për transparencë ndaj qytetarëve, televizioni “Ora News” iu drejtua me një kërkesë për informacion subjektit “FRUIT CO”.

Administratori i këtij subjekti, z. Bardhyl Muça, ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve se në cilat qytete e ka shpërndarë produktin, për më tepër nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për faktin që se i ka servirur konsumatorit fruta që i kanë rrezikuar jetën.

Z. Muça ka vendosur të “kyç gojën”, por më alarmant është fakti që edhe vetë AKU nuk e di se ku është shpërndarë rrushi që duhet të ishte asgjësuar.

Kjo faturë shitje tregon qartë se subjekti e ka shitur rrushin me pesticide në Vlorë, ndërsa Drejtoria Rajonale e AKU në Vlorë zyrtarisht shprehet se ky produkt nuk është shpërndarë në qytetin e Vlorës.

Latest articles

Related articles