Plas sherri, Kreu i KLGJ nuk fton kreun e Gjykatës së Lartë në ceremoninë e gjyqtarëve të rinj

spot_img
Advertisements

42 gjyqtarë të rinj kanë bërë sot betimin solemn për tu bërë pjesë sistemit të drejtësisë. Të ftuar në ceremoninë e drejtuar nga kreu i KLGJ, Ilir Rusi, ishin edhe kryetarë të institucioneve të tjera të drejtësisë në vend.

Magjistratët e rinj janë përshëndetur për rrugëtimin e ri dhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit në postimin e tij ka shkruar se nuk ka qenë i ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit.

Mosthirrja e Sokol Sadushit për të qenë pjesë e ceremonisë, është komentuar dhe si një inat që vjen nga problemet e fundit në drejtësi, të cilat buruan pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Në mbledhjen e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, Sokol Sadushi bëri përgjegjës direkt Këshillin e Lartë Gjyqësor me në krye Ilir Rusin, për dështim në qeverisjen e sistemit dhe në kryerjen e funksionit bazë.

“Të dashur magjistratë të rinj, në këtë ditë të shënuar për karrierën tuaj dhe për sistemin e drejtësisë, ju uroj suksese, përkushtim dhe ndershmëri në misionin që nisni.

Edhe pse sot nuk kam qenë i ftuar mes jush, ndjej të njëjtin gëzim e respekt për këtë moment solemn që shënon fillimin e një përgjegjësie të madhe ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Uroj që në të ardhmen, ngjarje të tilla të rëndësishme të pasqyrojnë gjithmonë pjekurinë, bashkërendimin dhe respektin që i detyrohemi drejtësisë.

Me respekt, Sokol SADUSHI”, shkruhet në postimin e kreut të GJL-së.

Latest articles

Related articles