Ish-presidenti i Republikës, Nicolas Sarkozy, u burgos këtë të martë në mëngjes në burgun parizien të “La Santé”, gati një muaj pas dënimit të tij për bashkëpunim në organizatë kriminale në procesin gjyqësor lidhur me çështjen libiane. Një ngjarje unike për një ish-kryetar shteti të Republikës Franceze apo të Bashkimit Europian. Ai u largua nga banesa e tij në perëndim të Parisit rreth orës 9 të mëngjesit, i duartrokitur nga më shumë se njëqind manifestues që iu përgjigjën thirrjes së familjes për një tubim mbështetës. “Nicolas! Nicolas!”, “Lironi Nicolas-in!”, brohoriste turma.
Në një deklaratë të publikuar në “X” në momentin që ai u largua nga banesa, i shoqëruar nga shumë policë, Nicolas Sarkozy përsëriti “pafajësinë” e tij. “Do të vazhdoj të denoncoj këtë skandal gjyqësor, këtë rrugë të kryqit që e vuaj prej më shumë se dhjetë vitesh,” shkruan ai.
Avokatët e tij pritet të paraqesin një kërkesë për lirim që në momentin e burgosje ndërsa Drejtësia do të ketë dy muaj për të vendosur, edhe pse afati pritet të jetë më i shkurtër.
Më 25 shtator, Gjykata Korreksionale e Parisit e kishte dënuar ish-presidentin me pesë vjet burg. Ai u shpall fajtor se, me vetëdije të plotë, kishte lejuar bashkëpunëtorët e tij Claude Guéant dhe Brice Hortefeux të takoheshin në Tripoli me një zyrtar të regjimit të Muammar Kadhafit për të diskutuar mbi një financim të fshehtë të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007. Ish-kreu i shtetit ka bërë apel dhe deklaron se është i pafajshëm.
Më herët Sarkozi i kishte rrëfyer gjithashtu gazetës Le Figaro se do të hynte në “La Santé” “me kokën lart”, i pajisur me një biografi të Jezusit dhe romanin Konti i Monte-Kristos, i pafajshmi më i famshëm i dënuar padrejtësisht në letërsinë franceze.
Shtyhet seanca për kalimin në gjykim të dosjes së Erion Veliaj/ Bojkotuan avokatët
Ilir Meta kërkon shuarjen e masës së sigurisë
Edhe pse burgosja e Nicolas Sarkozy-t u bë mbi bazën e një mase të miratuar në vitin 2019 me nismën e shumicës së tij, Emmanuel Macron e kishte ngritur këtë çështje në “X”, duke theksuar se “në shtetin e së së drejtës, prezumimi i pafajësisë dhe e drejta për apel duhet të ruhen gjithmonë”. Ai e priti Nicolas Sarkozy-n këtë të premte: “Kam pasur gjithmonë qëndrime shumë të qarta publike mbi pavarësinë e autoritetit gjyqësor në rolin që më përket. Por ishte normale që, në planin njerëzor, të prisja një nga paraardhësit e mi, në këtë kontekst,” tha ai të hënën.
Sa për ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, ai do të shkojë “ta vizitojë në burg” atë që e konsideron si mentorin e tij në politikë, për t’u siguruar për sigurinë e tij. Një premtim i kritikuar nga sindikatat e gjyqtarëve, të cilat e shohin si një konfuzion të roleve mes mikut dhe Ministrit të Drejtësisë.