nga Sidi Hasanaj
Në gjithë diskursin e tyre, analistët dhe figurat mediatike të atashuara politikisht me Berishën kanë një argument kundër SPAK dhe Altin Dumanit, tek i cili më pas i mëshojnë fort, deri në një amplitudë sulmi rekord, si ajo e Andi Bushatit pak net më parë, ku bërtiste në studio:
“Do jetë ditë e bardhë për shqiptarët dita kur SPAK do zhduket, do shkrihet, do shkatërrohet!”
Pse ky agresion, kjo dëshirë egërsisht destruktive kundër SPAK?
Sepse të gjithë analistët pranë Berishës kanë, në thelb të arsyetimit të tyre, një argument:
“SPAK prishi balancat politike në Shqipëri, duke goditur liderët e opozitës dhe në këtë mënyrë duke i dhënë mandatin e katërt absolut Ramës.”
Në këndvështrimin e tyre, sado që SPAK të godasë majtas, sado figura të rëndësishme të pushtetit socialist të preken nga shpata e drejtësisë, është e kotë për sa kohë nga ana tjetër janë goditur Berisha, Meta dhe Mediu, ndërkohë që Rama nuk është.
Në çdo shoqëri ku arsyetimi mbi të moralshmen ende nuk ka fituar plotësisht mbi instinktin e interesit të xhepit, lind një kundërshti e natyrshme ndaj atyre që përpiqen të vendosin rendin e moralit përpara pushtetit.
Kështu është edhe rasti i Altin Dumanit dhe institucionit të SPAK, ndaj të cilëve një grup analistësh të vetëshpallur “opozitarë” kanë drejtuar një mllef që më shumë se politik, në thelb është diçka shpirtërore: një refuzim i moralit në emër të pasionit për pushtet dhe pasuri.
Së pari, drejtësia nuk është mjet, por qëllim në vetvete. Kjo është themeli i arsyetimit praktik.
Nëse drejtësia heton një njeri, ajo nuk e bën këtë për ta favorizuar një tjetër; ajo vepron sepse e kërkon arsyetimi moral (a është e drejtë të kesh kryer korrupsion?) dhe ligji.
Kushdo që e gjykon drejtësinë nga pasojat dhe llogaritë e vogla politike, e sheh atë jo si kategori morale, por si mjet për arritjen e një qëllimi pushteti. Drejtësia është pushtet i moralit, jo instrument politik.
Kjo është pikërisht ajo që bëjnë analistët që shpallin se “SPAK prishi balancat politike”.
Në thelb, ata pranojnë se ekuilibri i pushtetit që kërkojnë të ruajnë nuk është një ekuilibër i së drejtës, por i ndërsjelljes me njëri tjetrin së tre të korruptuarve:
“Më mirë tre banda, se vetëm diktatura e bandës së Edi Ramës.”
Por a qëndron vërtet ky argument?
Për ta verifikuar, le të bëjmë një ekuacion tjetër:
Nëse Sali Berisha, pasi u shpall non grata nga SHBA, nuk do t’i hapej asnjë hetim nga SPAK, por do të ndërmerrte betejën e tij për të marrë PD-në dhe selinë pa asnjë “gjemb në këmbë” nga drejtësia:
- A do të ishte në zgjedhjet e 11 majit një figurë më e pranuar nga votuesi shqiptar?
- A do të perceptohej Berisha më i pakorruptuar në 11 maj, nëse nuk do të hetohej për privatizimin e klubit “Partizani”?
- A do të kishte epërsi morale ndaj Ramës sepse do të perceptohej si politikan alternativ dhe me vullnet për të luftuar oligarkinë, për të çmontuar korrupsionin si sistem (jo ndërrime emrash e xhepash), si lideri që me ardhjen në pushtet të tij do të ndaleshin tenderat korruptivë, kullat e pastrimit të parave, etj.?
Nëse dikush ka guximin t’i përgjigjet me sinqeritet qoftë edhe njërës prej këtyre pyetjeve me “po”, atëherë mund të themi që SPAK ka prishur balancën politike.
Por është e vështirë të gjesh dikë me mendje të shëndoshë që të belbëzojë qoftë edhe një gjysmë “po”-je.
Sepse post factum Berisha u largua në zgjedhjet më të lira dhe më të standardizuara , ato të vitit 2013 me 1 milion vota kundër, si një lider rrënjësisht i korruptuar, i lidhur me skandalet e ARMO-s, Taci Oil, oligarkët si Mane dhe Frangaj që rrinin në paradhomën e Kryeministrisë së tij dhe zaptonin që në atë kohë miniera në Bulqizë, plazhe me 1 euro, reklama pafund nga buxheti i shtetit për TV-të e tyre; me skandalet e Gërdecit, të 21 janarit dhe videoskandalin Meta–Prifti; me një polici të inkriminuar dhe të paaftë, me Kuliqin në krye; me dogana, tatime, hipoteka dhe legalizime që ishin simbol i korrupsionit, paaftësisë dhe zhvatjes së qytetarëve.
Atëherë, çfarë balance prishi SPAK?
Jo balancën politike , por balancën e pandëshkueshmërisë!
Arrestoi Ilir Metën, pas skandaleve më flagrante të korrupsionit në vend për 33 vite: nga CEZ–DIA, te gjobat që vendoste, një pjesë e të cilave doli në videon Meta–Prifti, deri te ekspozimi i pasurisë marramendëse — vila në Lalëz, etj.
SPAK, duke e arrestuar, nuk e lejoi Ilir Metën që me paratë e korrupsionit dhe lidhjet me krimin (si p.sh. lidhjet me Troplinët dhe Kelmend Balilin) të blinte vota për LSI-në.
E parë në këtë këndvështrim pervers e me bosht malinj morali, po …SPAK nuk lejoi Metën të blinte votat e shqiptarëve të varfër, siç ka bërë që nga viti 2005.
SPAK, duke hetuar Berishën, na tregoi se përrallat e tij për pasuri modeste dhe vajzën e tij “shtresë e mesme” ishin përralla për moshën 2–3 vjeç, sepse vetëm me një auditim rezultoi që vajza e tij kishte 6 shtëpi në Bruksel, Amsterdam, Mynih, Berlin, Budapest dhe Vjenë; kishte mbi 25 milionë euro pasuri, ndërsa Berisha kishte shpenzuar në opozitë 700 mijë euro për trajtime mjekësore në klinikat më të mira të Europës dhe kishte paguar 600 mijë paund zyrë avokatie në Londër për të hequr non gratën (që dështoi me sukses).
Ah po, SPAK është “fajtor” që na i tregoi këto të vërteta! Nuk duhej t’i thoshte… kështu Andi Bushati dhe kolegët e tij do ndiheshin të fortë në sofizmin e tyre.
Në fakt, SPAK nuk hetoi ende se si Berisha, pa vulën e PD-së dhe pa fonde nga KQZ-ja, bëri një fushatë miliardere në zgjedhjet vendore të 2023-s dhe se si paguante stadiumin “Arena” dhe fusnin me autobus kandidatin e tij në skena shou të kushtueshme, se si loboi në SHBA me 2.5 milionë euro kontrata…
Por ajo që ka bërë, është shumë më e madhe: ka shkatërruar iluzionin e pandëshkueshmërisë, që për dekada ka zëvendësuar ligjin me kompromisin.
Hetimi ndaj Ilir Metës, që ka jetuar si simbol i korrupsionit të institucionalizuar, apo ekspozimi i pasurive të familjes Berisha, nuk janë akte politike, janë akte të arsyes publike që kërkon të vendosë ligjin mbi korrupsionin e të fuqishmëve.
Ata që e quajnë këtë “selektivitet”, në fakt dëshmojnë se nuk njohin dot dallimin midis përgjegjësisë individuale dhe interesit kolektiv.
Turmat kundër Dumanit nuk flasin nga pozita e arsyes, por nga nxitja e pasionit për lek dhe pushtet. Ata janë të lidhur emocionalisht dhe ekonomikisht me një rend të vjetër, ku pushteti i së keqes ishte bërë normë.
Prandaj për ta, çdo vendosje e pushtetit të ligjit vepron si një dhimbje.
Ata nuk mbrojnë opozitën, ata mbrojnë pasuritë e Berishës dhe Metës, nga burojnë vetë përfitimin e tyre.
Në këtë kuptim, SPAK dhe Altin Dumani nuk përfaqësojnë një instrument politik të Edi Ramës e askujt tjetër, nëse kjo ngjall urrejtje tek ata që kanë jetuar nga përjashtimi i ndëshkueshmërisë, atëherë kjo urrejtje është prova më e qartë se drejtësia, për herë të parë, po ndodh.