Dubai: Qendër Komande e Mafies Shqiptare

spot_img
Advertisements

nga Alba Kepi

Nga rrugët e Torvaianicës deri në rrokaqiejt e ndritshëm të Dubait, emri i Altin Sinomatit, 38-vjeçarit shqiptar i njohur si Passerotto, është bërë simbol i një realiteti të errët që po i ndodh kombit tonë: eksporti i krimit dhe i turpit kombëtar.

Sipas hetimeve të karabinierëve italianë, Sinomati konsiderohet si mandanti i vrasjes së shqiptarit Shehaj, një ekzekutim mafioz i ndodhur në shtator të vitit 2020 në plazhin e Torvaianicës, afër Romës. Vrasja, për të cilën u paguan 150 mijë euro, lidhet me rivalitetet midis grupeve të narkotrafikut.
U arrestua sot në Dubai, por problem mbetet ekstradimi nga një vend që nuk e lejon këtë proçedurë.

Një krim i kryer në mes të ditës, në një plazh të mbushur me njerëz, si për të dhënë një mesazh frike dhe pushteti. Ishte i njëjti killer që një vit më parë kishte ekzekutuar edhe Fabrizio Piscitellin, i njohur si Diabolik, kapo ultras i tifozerisë italiane, një tjetër simbol i lidhjeve të errëta midis botës së krimit dhe mafies shqiptare.

Pas vrasjes, Altin Sinomati u zhduk, si shumë të tjerë, duke u fshehur në oazin e pasurisë dhe pandëshkueshmërisë: Dubai.

Nuk është rastësi. Pak muaj më parë, në të njëjtin qytet u arrestua edhe Dorian Petoku, një tjetër figurë e njohur e botës së krimit shqiptar. Në hijet e atyre kullave ku luksin e paguajnë me para të pista, përflitet edhe prania e Arben Zogut, një tjetër emër që, sipas burimeve, hyn e del në Shqipëri pa asnjë pengesë.

Dubai është bërë strehë e mafies shqiptare, një parajsë moderne ku riciklohen paratë e drogës, të armëve dhe të trafikut njerëzor përmes kompanive të rreme, restoranteve luksoze dhe pasurive të paluajtshme. Nga atje, si nga një qendër komande ndërkombëtare, drejtohen aferat që po shkatërrojnë vendin tonë.

Në orët pas atentatit ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, autor i programit investigativ “Report”, vetë Ranucci kujtoi me shqetësim se atentati kishte ndodhur vetëm disa qindra metra larg vendit ku në vitin 2020 u vra Selavdi Shehaj. Kjo përputhje territoriale ka ngritur dyshime të forta tek hetuesit italianë se pas atentatit ndaj Ranuccit mund të fshihet po e njëjta dorë kriminale ndoshta edhe e njëjta strukturë e mafies shqiptare që ka shtrirë rrënjët në Itali.

Gazetarë si Nello Trocchia, me librin e tij Invincibili la mafia albanese, kanë denoncuar me guxim fuqinë e këtyre grupeve që veprojnë në heshtje, por me ndikim të frikshëm.

Sepse për sa kohë që Dubai e Aruba janë shtëpitë e pushimit të kokave të mafies sonë, Shqipëria do quhet Narkoshtet.

PS, në foto bosat e mafias shqiptare në Romë

Latest articles

Related articles