Vajza që garonin për tu thirrur nga shefi “ashtu kot” – Akuza e fortë e Kostana Morava!

spot_img
Advertisements

Nga Kostana Morava

Prej disa ditësh dal për të kërkuar punë, zhvilloj takime e intervista në qytetin ku kam lindur, jam rritur dhe ku kam punuar për më shumë se njëzet vite në media. Është qyteti im, por sot ndihem si një emigrante në vendin tim. Në vetvete kjo nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, çdo njeri duhet të punojë, të mbajë veten, të ndihmojë familjen, të japë kontribut në shoqëri. Por përtej nevojës për mbijetesë, besoj se puna duhet të ketë një dimension më të lartë: duhet të ketë kuptim, mision, një qëllim që i jep dinjitet jetës.

Media ka ndryshuar katërcipërisht në këtë kohë kur unë po përpiqem të rikthehem. Dikur nuk kërkoja unë punë, ishte redaksia, produksioni, programacioni, pra vetë televizioni që më ofronte punë mua. Dikush mund të mendojë se koha ka ndryshuar sepse ndoshta konkurrenca është bërë më e madhe. Po, është e vërtetë që sot konkurrenca është më e fortë dhe më e ashpër, por sot ka një ndryshim thelbësor në konceptin e konkurrencë. Lind pyetja, ‘me kë konkuroj unë dhe disa si unë sot, qoftë unë si spikere e lajmeve apo drejtuese emisionesh?!!

  • Dikur konkurroje me një koleg/e, me një profesionist/e, me aftësinë për punën, me përkushtimin dhe dinjitetin. Sot, në vend të kësaj, duhet të konkurosh me një sistem që ka përmbysur çdo vlerë profesionale dhe morale, ku vendin e gazetarit dhe moderatorit profesionist e ka zënë modeli i eskortës dhe prostitutes mediatike, djalit gay apo vajzës lesbike, spiunit, etj etj si këto.

Në median e sotme, për fat të keq, modeli dominues është ai i “eskortës”.
Kjo është një kategori vajzash por edhe djemsh që pranojnë të punojnë pa pagesë fare ose me një pagë nën minimalen, sepse jeta e tyre sponsorizohet në detaje nga një “sugar daddy” që u siguron jo vetëm hyrjen në ekran, por edhe një jetë luksi. Për to, dalja në televizion nuk është rrugë profesionale, por mjet për të krijuar rrjete klientësh.
E gjithë kjo shfaqje në ekran shërben për të ndërtuar një imazh të rremë, një status “VIP” të blerë në salla kirurgjie plastike dhe në dhoma hoteli apo në vila luksoze ku zhvillohen festa private ku pushteti, paratë dhe shthurja përzihen në të njëjtën gotë.
Këto janë sot ofertat që nuk i mungojnë grave, por siç mund të kuptohet, unë nuk kam këto qëllime në jetë dhe nuk i jam përgjigjur kurrë ofertave të tilla të prostitucionit mediatik.
Kjo është, ndoshta, përgjigjja më e qartë për arsyen pse unë prej disa kohësh nuk jam në media dhe jo sepse nuk dua të punoj, siç mund të mendoj dikush.

Por përtej këtij aspekti të dukshëm, ekziston një rrjet më i gjerë e më i errët, një lloj trafiku i qenieve njerëzore brenda mediave. Eskortat që shfaqen në ekranet tona punojnë shpesh falas, ndonjëherë madje duke “paguar” me shërbime seksuale shefa apo njerëz të fuqishëm të prapaskenës, për të ruajtur pozicionin apo për të siguruar ekspozimin publik.
Shpesh ato përdoren për të “mirëpritur” miq të huaj, ambasadorë, investitorë apo politikanë të ardhur për vizita, të cilëve u ofrohet argëtim me “imazhet mediatike” që ekrani i ka bërë të njohura.

🔴Ajo që më ka tronditur më shumë është gara e turpshme që kam parë në një redaksi informative ku kam punuar së fundmi. Disa vajza ekrani garonin mes tyre për t’u thirrur nga shefi në zyrë për “ashtu kot”. Asnjëherë nuk kishte debate reale nga ky grup vajzash (jo e gjithë redaksia) për lajmet, për cilësinë e punës apo për idetë profesionale; e vetmja garë ishte kush do t’i pëlqente më shumë “sulltanit”.
E tmerrshme ishte se këto lloj vajzash ndiheshin vërtetë të vlerësuara kur shefi pervers i thërriste në zyrë për të shfryrë “ngarkesat që i varen”. Një realitet i neveritshëm, një maskaradë ku dinjiteti shitet për një copë vëmendje. Disa prej tyre ishin të martuara, të fejuara, të dashuruara, por kjo nuk kishte më rëndësi. Ishte një harem modern, ku servilizmi seksual ishte kriter pune. Nuk ka shfaqje më të shëmtuar sesa të shohësh që një vajzë/grua bie në garën se cila do të zgjidhet nga shefi manjak për 5 min. e ditës.

Haremet e sulltanëve janë lule përpara këtij realiteti që po ju dëshmoj sepse në fund të ditës, konkubinat e haremit nuk i njihte njeri për ndonjë gjë tjetër përveçse për prostituta. Ndërsa këtu publiku ynë, të cilin e gënjejnë, i njeh prostitutat për personazhe publike me ndikim në shoqëri.

Kjo është media sot në një nga faqet e së vërtetës. Por pas kësaj fasade të shëmtuar qëndron edhe një plan më i errët: ai i spiunazhit dhe i lidhjeve të fshehta.
Në shumë media punësohen njerëz që nuk janë aty për gazetari, por për interesa të tjera. Disa janë bij apo bija të ish-funksionarëve të shërbimeve sekrete, të cilët vazhdojnë të ruajnë ndikim përmes trashëgimisë së tyre. Të tjerë janë pjesë e rrjeteve që shërbejnë për informim, për kontroll, madje edhe për manipulim të agjendës publike. Në të njëjtin plan futet edhe kategoria e re e “profesionistëve” që përzgjidhen jo për aftësinë, por për përkatësinë e tyre në grupe apo rryma që sot trajtohen me privilegj, si LGBTQI, një lloj diskriminimi i përmbysur, që përdoret për të justifikuar imazhin e hapjes dhe modernitetit.
Në këtë panoramë të bastarduar, ata pak profesionistë të vërtetë mbeten të izoluar. Ata ekzistojnë, punojnë në media, shfaqen në publik por jo për t’u lejuar të bëjnë punën e tyre me dinjitet por vetëm për të ruajtur fasadën e “normalitetit” që publiku ende dëshiron të besojë. Janë aty për t’u treguar njerëzve se ende ka figura të respektueshme, ndërkohë që vendimmarrjet e vërteta bëhen në errësirë, nga interesa të fshehta që nuk kanë asnjë lidhje me misionin fillestar të medias.
Kjo situatë është pasqyrë e një shoqërie që ka degraduar në çdo nivel. Kur politika korruptohet, kur drejtësia shitet, kur morali shembet, media bëhet vetëm një instrument në këtë zinxhir. Shoqëria jonë është zhytur në një model ku gjithçka ka çmim dhe asgjë nuk ka më vlerë. Në vend të meritokracisë kemi nepotizëm, në vend të përpjekjes kemi kompromis, në vend të integritetit kemi servilizëm. Është produkt i një tranzicioni të pafund që ka shkatërruar strukturat morale dhe ka prodhuar breza që mësohen të jetojnë me dy fytyra, një fytyrepublike për të ruajtur imazhin dhe një tjetër për të përfituar nga sistemi i kalbur.
E megjithatë, unë besoj se ky realitet nuk do të zgjasë pafundësisht. Çdo sistem i ndërtuar mbi gënjeshtrën, shfrytëzimin dhe poshtërimin, ka brenda vetes farën e vetëshkatërrimit. Do të vijë dita kur media do të pastrohet, jo nga presioni i jashtëm, por nga ndërgjegjja e brendshme e atyre që ende besojnë se fjala ka peshë, se dinjiteti nuk blihet, dhe se publiku meriton të dijë të vërtetën.
Unë do të vazhdoj të kërkoj punë në media, sepse ajo është shtëpia ime. Do të përpiqem, sado e vështirë të jetë, të ruaj integritetin tim dhe të mbroj vlerën e punës sime. Do të pranoj të më japin më pak sesa meritoj në arenë sepse besoj se bojkoti është instrument i atyre që kanë për qëllim të sabotojnë shoqëritë hibride dhe delikate si e jona, prandaj do të rikthehem.
Sepse besoj se nuk mund të mbizotërojë përjetësisht e pavërteta. Në fund, çdo shoqëri, sado e kalbur, fillon të kërkojë dritën për të dalë nga errësira. Dhe kur kjo të ndodh, unë do të jem aty për të dëshmuar se e vërteta, dinjiteti dhe integriteti mund të mbijetojë, edhe në kohët më të ndyra.
©KOSTANA MORAVA

Latest articles

Related articles