Mbi 200 fëmijë në ditë i drejtohen urgjencës pediatrike në QSUT për shkak të infeksioneve respiratore virale, shqetësimeve gastrointestinale dhe diagnozave të tjera.
Shefi i Urgjencës, Albert Lama thotë për RTSH-në, se simptomat që po mbizotërojnë këtë sezon vjeshte janë ato të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
“Kemi më tepër probleme që prekin aparatin respirator, që do të thotë probleme me kollën, me të ftohurën, siç thotë fjala popullore, në raport me problemet gastrointestinale. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi probleme gastrointestinale, domethënë të shoqëruara me bark dhe të vjella. Fluksi ditor shkon mbi 200. Fundjava është e ngarkuar“, thotë mjeku.
15% e rasteve që paraqiten në urgjencë kërkojnë trajtime me protokolle specifike, për shkak të ndërlikimeve.
“Rastet që i shtrojmë, që pak a shumë janë 10-15 për qind e rasteve të fluksit ditor që paraqiten në urgjencën pediatrike, janë raste që kërkojnë trajtim të mëtejshëm spitalor dhe sigurisht për këto raste ndiqet protokolli mjekësor në varësi të diagnozës për të cilën ai shtrohet”, nënvizon Lama.
Fundjavat janë ditët më të ngarkuara në urgjencën pediatrike, për shkak se në ambulator, vizitat priten vetëm nga një mjek roje.
Mjekët pediatër të urgjencës thonë se prindërit nuk duhet të nxitojnë në spital që në temperaturën e parë që bën fëmija, por të marrin kontakt me mjekun e familjes.
Gazetare: Sonila Mlloja