Tirana jehoi pasditen e djeshme kuqezi në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët mbahen në paraburgim në Hagë.
Me moton “Liria ka emër” kjo protestë bashkoi në sheshin “Skënderbej” qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora të cilët kërkuan lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Gazetari dhe drejtori i “Faktor.al”, Lavdrim Lita, në një intervistë për “Ora News” e vlerësoi si tejet pozitive manifestimin e djeshëm teksa tha se një tubim i tillë i bën nder të gjithë botës shqiptare.
“Ishte një manifestim me karakter patriotik që nderonte luftën çlirimtare të Kosovës të ushtrisë dhe djemve të Kosovës dhe në një farë mënyre i bën nder trevave tona që herë pas here të kemi manifestime të tilla.
Është bërë më parë në Hagë dhe në Prishtinë, kjo ishte treta dhe mendoj se do të vazhdojë edhe në Shkup, apo në vende ku organizatorët mendojnë se do të realizohet ky manifestim në mbështetje të 4 liderëve të UÇK-së që janë prej 5 vitesh në masën arresti me burg në Hagë.
Manifestimi ishte i bukur, kishte pjesëmarrje të mirë dhe flamuri shqiptar dhe simbolet e UÇK-së dhe shqiptarisë e bënë atmosferën shumë interesante dhe kjo gëzoi shumë njerëz në Tiranë dhe jo vetëm ditën e djeshme”, u shpreh ndër të tjera gazetari
Lavdrim Lita po ashtu theksoi se debati në Kuvend për rezolutën e përsëritur për dënimin e genocidit serb ndaj kosovarëve ishte thjesht një justifikim për të mos qenë në shesh në manifestimin për UÇK-në dhe një kurth i radhës i opozitës për ta nxjerrë mazhorancën si anti-shqiptare.