Nga Ermal Peçi
Ka njerëz që nuk i përkasin vetëm kohës së tyre. Dritan Hoxha ishte njëri prej tyre. Ai nuk ishte thjesht themeluesi i një televizioni, por krijuesi i një epoke të re në median shqiptare. Në një Shqipëri që ende kërkonte të gjente veten pas viteve të tranzicionit, Dritani solli frymën që mungonte: modernitetin e idesë, guximin për të rrezikuar dhe besimin se media mund të jetë motor ndryshimi, jo thjesht pasqyrë realiteti.
Para dy ditësh, Top Media kujtoi dhe nderoi njeriun që i dha frymë një vizioni. Unë vetë nuk e kam njohur nga afër Dritanin, madje as bashkëpunëtorët e tij që mund të më tregonin si punonte apo si frymëzonte, por njoh veprën e tij: Top Median. Për shkak të ngjarjeve që kanë rrjedhur këto ditë dhe zhurmës politike, por edhe protestës së UÇK-së, vendosa të shkruaj sot, në fundjavë për një model që i mungon më shumë se kurrë medias shqiptare.
Top Channel nuk ishte një televizion më shumë. Ishte një revolucion. Solli standarde europiane në një treg që s’e dinte ende ç’do të thoshte “standard”. Solli teknologji moderne, imazhe të pastra, lajme që flisnin ndryshe, gazetarë që mendonin ndryshe. Mbi të gjitha, solli një filozofi të re: që publiku nuk është për t’u nënvlerësuar, por për t’u respektuar dhe sfiduar.
Sot, kur sheh panoramën e mediave shqiptare, boshllëku që la Dritan Hoxha ndihet më shumë se kurrë. Jo për mungesë njerëzish të zotë, por për mungesë vizioni. Shumë media janë kthyer në zëra që përsërisin njëra-tjetrën, studio ku mungon ideja, dhe lajme që janë copy-paste. Në këtë peizazh të lodhur, modeli i Dritanit do të ishte oksigjen. Një model që frymojë në media si një vend për mundësi ku zhvilloi, krijoi dhe nuk përsëriti kurrë atë se çfarë bënin homologët e tij në Shqipëri.
Aq i fortë është modeli i televizionit që Dritan Hoxha la, sa edhe sot moderatorë apo gazetarë që sapo largohen nga Top Media, emri i tyre shuhet menjëherë, ashtu siç ndizet çdo herë që dikush fillon në Top Media.
Do të doja shumë ta imagjinoja se si do të vepronte sot, në kohën kur televizionet po humbasin terren përballë podcasteve, rrjeteve sociale dhe algoritmeve që diktojnë gjithçka. Ai nuk do ta kishte parë këtë si rrezik, por si mundësi. Koha ka treguar që me atë se çfarë ai bëri me Top Median, Dritani nuk priste të ndodhte e reja, ai e krijonte atë. Me siguri do ta kishte bashkuar median tradicionale me atë digjitale, televizionin me rrjetet, gazetarët me krijuesit e përmbajtjeve të reja. Ai do ta kishte kuptuar se fuqia nuk qëndron më në frekuencë, por në ndikim.
Në një kohë kur “influenceri” po zëvendëson gazetarin dhe “kliku” po zëvendëson lajmin, mungon pikërisht një figurë si Dritan Hoxha, që të rivendosë balancën mes shpejtësisë dhe thelbit, mes audiencës dhe cilësisë.
Dritan Hoxha ishte i rrallë. Sot, kur çdo media përpiqet të shpëtojë nga harresa digjitale, nga problemet financiare, ndoshta rruga e vetme është të kthehet tek fryma e tij: guximi për të bërë atë që nuk e ka bërë askush tjetër.
Dritani nuk ndërtoi thjesht një televizion, ai ndërtoi një mënyrë të të menduarit për median.
Dhe derisa të dalë dikush që të mendojë me atë vizion, boshllëku që la do të mbetet. Një boshllëk që e ndjejmë çdo ditë, sa herë kërkojmë në ekran atë energji që dikur vinte nga një njeri që nuk fliste shumë, por ndryshoi gjithçka.