Në një kohë kur vendet europiane bëjnë politika për futjen në treg të makinave elektrike, për të ulur ndotjen, krejt e kundërta ndodh në vendin tonë. Me një vendim të beftë, Enti Rregullator i Energjisë, ka dalë edhe “kundër” qeverisë, duke rritur çmimin e energjisë për stacionet e karikimit të makinave elektrike. Një paradoks tepër i madh, pasi në këtë mënyrë do të ulë ndjeshëm importin e këtyre mjeteve.
Ky vendim prek drejtpërdrejt transportin publik, ku tashmë taksitë elektrike pritet të rritin çmimet e biletave të taksive, por edhe të mijëra bizneseve që vendosën stacione karikimi në të gjithë Shqipërinë. Një vendim në dëm të mijëra konsumatorëve, të cilët po shihnin mundësinë e zëvendësimit të mjeteve nga lëndë djegëse (naftë, benzinë apo gaz) në makina elektrike.
Në vendimin me numër 255 të ERE-s, ku theksohet se kërkesa për rritjen e çmimit ka ardhur nga FSHU.
“Furnizuesi i Shërbimit Universal bën me dije se struktura e konsumit të energjisë gjatë periudhës 8-mujore të vitit 2025, ka pësuar ndryshime të rëndësishme në drejtim të rritjes së energjisë së konsumuar për karikimin e makinave elektrike, përdorimi i të cilave po rritet me shpejtësi, duke sjellë nevojën e krijimit të një kategorie të re konsumatore, nisur dhe nga fakti se numri i makinave të regjistruara sipas publikimeve zyrtare të DPSHRT vijon të ketë një rritje të shpejtë nga viti në vit dhe pritet të jetë i tillë edhe për periudhat në vazhdim”, arsyeton FSHU.
Një paradoks i madh, pasi një organ shtetëror ankohet për “politikat” e vetë qeverisë. Kujt i bën dëm rritja e makinave elektrike? Normalisht disa grupeve të interesit, por jo qytetarëve, pasi në këtë mënyrë do të kenë më pak ndotje nga makinat dhe një çmim të ulët të mbajtjes së një mjeti të tillë. Por, edhe një çmim më i lirë i transportit publik, pasi makinat elektrike kanë çmime më të lira sesa mjetet e tjera të transportit me lëndë djegëse.