Biznesmeni dhe investitori kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar për zhvillimet e fundit lidhur me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke hedhur poshtë çdo spekulim që lidhet me ndonjë çështje ligjore apo pengesë në ndërtim.
Në një postim në Facebook, Pacolli publikoi foto të reja nga kantieri i punimeve dhe theksoi se aeroporti po përfundon brenda afateve kontraktuale, duke e cilësuar atë si një nga investimet më të mëdha private në infrastrukturën publike shqiptare.
“Aeroporti i Vlorës (investimi më i madh privat në infrastrukturë publike) po përfundon brenda afatit kontraktual dhe po merr formën e një prej aeroporteve më moderne, më funksionale dhe më të bukura në gjithë rajonin.
Falë edhe vizionit dhe kontributit personal të Kryeministrit Rama, veçanërisht në drejtim të zgjidhjeve estetike dhe dizajnit të brendshëm, kjo vepër po shndërrohet në një ‘boutique aeroport’ – unik në llojin e vet dhe krenari kombëtare.”-shkruan Pacolli.
Pas këtij postimi, ai komentoi edhe në pyetjet e ndjekësve të vet, të cilët kërkonin informacion në lidhje me pezullimin e punimeve nga Gjykata e Tiranës.
Në facebook-un e tij shkruante: “Ditët e fundit po qarkullojnë artikuj të sponsorizuar, thashetheme e teori konspirative nga individë të cilëve u kam ndërprerë ‘ushqimin’ për shkak të abuzimeve evidente që kanë kryer. Besoj fort se drejtësia do të veprojë në mënyrë të paanshme dhe ligjore, duke bërë detyrën e saj ashtu siç duhet.”
Ky reagim shihet si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj raportimeve për një përfshirje në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, të cilat ai i cilëson si “të fabrikuara nga interesa personale”.
Në media qarkullojnë lajme se Gjykata e Tiranës ka pezulluar veprimtarinë e kompanisë Mabco Construction S.A., për shkak se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, apo veprimtaria e fshehtë e zhvilluar në këtë investim privat në infrastrukturën publike.
Nën hetim janë vendosur: Behgjet Pacolli, i vëllai Emin Pacolli dhe Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A.
Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.