nga Desada Metaj
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i ka dhënë një shtysë tjetër protagonizmit budalla të Presidentit të Republikës në përballjen e tij me Gjykatën Kushtetuese për çështjen e dekretit të zgjedhjeve të 9 nëntorit. Duke listuar disa shkelje të supozuara të Bajram Begajt, PD ka marrë flamurin për ta shkarkuar presidentin, pasi sipas Bardhit ai paska marrë rrogë edhe nga një spital ndërkohë që ka qenë në detyrën e Presidentit.
Kjo mund të jetë e vërtetë po aq sa mund të ndodhë që pagesat e prapambetura të kenë kaluar në llogarinë e tij në kohën kur ka qenë president, ndërsa faturat janë prerë kur nuk ka qenë në detyrë. Fakt është që deklaratat e pasurisë së çdo politikani që sot ndodhet pas hekurave kanë qenë të kulluara dhe në rrjetën e ILDKPI zakonisht ngecin zyrtarë të dorës së tretë që nuk kanë haberin si plotësohet formulari tejet i ngatërruar i deklarimit të pasurisë.
Por edhe në rast se Begaj ka kryer ndonjë shkelje administrative për shkak të paaftësisë së stafit të tij, ajo që është gafa e tij më e madhe si president në detyrë është paaftësia për t’u ngritur mbi interesat dhe urdhrat politike për të zbatuar Kushtetutën. Askush që e ka ndjekur aktivitetin publik të presidentit Begaj nuk pretendon se ky i fundit ka aftësinë të marrë një vendim të fushës juridike (apo politike qoftë) pa qenë i orientuar nga ata që e kanë vendosur në atë karrige.
Thënë ndryshe, dekreti për zgjedhjet e 9 nëntorit dhe akuzat apo presioni i djeshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese kanë si skenarist dhe regjisor Edi Ramën. Kryeministri qartas duket i vendosur të zhvillojë zgjedhjet lokale në Tiranë më 9 nëntor dhe për këtë, sigurisht që nuk mund të kursejë kapterrin e ushtrisë së Rilindjes. Sigurisht që askujt nuk duhet t’i vijë keq për Bajram Begajn që është katandisur në këtë derexhe.
Jo se paraardhësit e tij kanë qenë me integritet për t’u admiruar, por të ardhur nga politika, së paku kanë ditur të manovrojnë dhe të mos duken qesharakë në dhimbje. Bajram Begaj sigurisht që nuk e meriton të jetë President i Republikës, por së paku arsyeja për ta shkarkuar duhet kërkuar te marrëdhënia e tij me të vetmin libër që ndoshta ia vlen ta lexojë nga fillimi në fund — me Kushtetutën.
Pjesa tjetër e cic-miceve të opozitës grindavece veçse shkakton më shumë kaos në perceptimin e opinionit publik dhe fsheh në fakt edhe imponimin që ajo i bën Presidentit për të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese Sonila Bejten, si të preferuarën e PD-së edhe pse mandati i ka përfunduar. Sikundër as Bajram Begaj, alias Edi Rama, duan të mbajnë në shkelje të Kushtetutës në detyrë Holta Zacajn apo të pengojnë betimin e anëtarit të zgjedhur Asim Vokshi për llogari të Nureida Llagamit.
Këto pazare me prapavijë të qartë interesash politike janë edhe arsyeja e vërtetë e kaosit dhe debatit shterp për gjoja parimet në mbrojtje të Kushtetutës. Nëse PD nuk e kupton se pengesë për të ardhur në pushtet nuk është Bajram Begaj, por Edi Rama, ndoshta është mirë të nisin një kurs logjike si grup parlamentar. Një parti politike që ka humbur zgjedhjet në 11 maj dhe ende s’ka bërë një analizë serioze, duket më qesharake se Bajram Begaj kur i kërkon këtij të fundit të tregohet serioz dhe të largohet nga detyra.
Sot shumica e shqiptarëve e kuptojnë se opozitën nuk e ka penguar Bajram Begaj as të mbrojë Kushtetutën dhe as të fitojë zgjedhjet. Problemi ka një emër tjetër: quhet Edi Rama, apo narkoregjimi me të cilin opozitës i pëlqen edhe të luftojë, por edhe të flirtojë. Dhe sa kohë flirti të jetë prezent, çdo betejë për rrogën e dytë të Bajram Begajt është një cic-mic që nuk të çon askund, përveçse në tituj gazetash.
Ndërsa beteja e vërtetë, ajo për Kushtetutën, është e vetmja që mund ta nxjerrë në dritë. Por nëse Kushtetutën e bën copë për “fustanin” e emrave të përveçëm që i do me çdo kusht në Gjykatën Kushtetuese, atëherë qesharakja nis te selia e Presidencës, por përfundon te selia e Shqupit — atje ku janë ngazëllyer në kor për t’i rënë Bajramit, se nuk i bëjnë dot gjë Ramës.