Këtë zotim Presidenti i Republikës nuk e mbajti duke sulmuar Gjykatën Kushtetuese. Në prapësimet e dërguara ndaj vendimit të Gjykatës, që pezulloi dekretin e tij për zgjedhjet në Tiranë, Presidenti i Republikës akuzon trupën që është garant i kushtetutës, se ka shkelur aktin themeltar të shtetit, madje duke vënë në dyshim autoritetin e saj.
“Marrja e vendimeve të ndërmjetme, pezullim i aktit për një çështje që nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, i vë organet zbatuese përpara një dileme të rëndë kushtetuese: të pranojnë një vendim antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, apo të ushtrojnë arbitraritet dhe të refuzojnë zbatimin. Mjete ligjore kundër vendimeve antikushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, siç dihet, nuk ka.”
Sulmet ndaj Gjykatës, Begaj i intensifikon edhe më shumë kur thotë se trupa kushtetuese ka treguar anësi dhe paragjykim në shqyrtimin e ankimit të Erion Veliajt.
“Me këtë ndërhyrje antikushtetuese, Gjykata Kushtetuese jo vetëm ka zbuluar edhe një herë anësinë dhe paragjykimin që e ka udhëhequr në shqyrtimin e kësaj çështjeje, por edhe ka penguar Presidentin e Republikës nga ushtrimi i kompetencave të veta ligjore. Ndërhyrja në sferën e kompetencave të një organi tjetër kushtetues është, gjithashtu, një shkelje e rëndë kushtetuese, e cila, gjithashtu, nuk shpjegohet dot me arsye që pranohen nga logjika.”
Mes kërkesave të dërguara, Begaj kërkon pezullim të pezullimit apo thënë thjeshtë, kërkon nga Gjykata që të lejojë zgjedhjet në Tiranë.
“Gjykata Kushtetuese duhet të heqë menjëherë pezullimin që ka vendosur mbi dekretin dhe të çlirojë Institucionin e Presidentit të Republikës nga statusi i palës së interesuar, sepse dekreti i Presidentit të Republikës nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në këtë çështje.”
Dekreti i Begajt së bashku me vendimet e shkarkimit të Veliajt, të cilët janë të pezulluar, do të shqyrtohen në themel në 31 tetor ku edhe përballja e Presidentit me trupën kushtetuese do të zhvillohet sy më sy