Shqiponja ngul kthetrat në Serbi! Nga Ermal Peçi

spot_img
Advertisements


Në Serbi, aty ku dikur zhurma e nacionalizmave ka shurdhuar çdo zë tjetër përveç urrejtjes, sot u dëgjua një britmë ndryshe: ajo e një populli që nuk harron, por di të ngrihet mbi plagët. Shqipëria fitoi! Një gol i artë nga Rey Manaj, një emër që tashmë futet në historinë e futbollit tonë, mjaftoi për të shkundur tokën në stadiumin ku dikur u dogjën flamuj dhe u ngritën grushta, por sot u ngritën krahët e shqiponjës.
Fitorja në Serbi nuk është thjesht sportive. Ajo është simbolike, pothuajse metafizike. Është një përplasje mes kujtesës dhe së tashmes, mes historisë së dhimbshme dhe një të ardhmeje që po shkruhet me gjakftohtësi, talent dhe dinjitet. Sepse çdo ndeshje Shqipëri–Serbi nuk luhet vetëm me topin, por me historinë, me gjuhën, me kujtimet e prishura, me një flamur që dikur u bë pretekst për urrejtje dhe përçarje në një lojë që nuk ka lidhje me çfarë plrfaqësojmë si dy shtete. Akoma edhe sot shqiptarët vuajnë nga kontekstet historike, por edhe nga pretendimet e padrejta të Serbisë dhe loja e fshehtë që ajo zhvillon në Ballkan për të dëmtuar faktorin shqiptar.
Por sot, në fushën e blertë, historia mori një kthesë tjetër. Aty ku tifozët serbë fishkëllyen himnin tonë, Rey Manaj u përgjigj me një goditje që dukej si rrufe në qiellin e Serbisë. Ai u kujtoi të gjithëve se flamuri ynë nuk është provokim, është krenari. Ai nuk është rrezik, është identitet. Dhe shqiponja jonë nuk është kërcënim, është simbol i një kombi që di të qëndrojë drejt edhe përballë stuhive.
Çunat kuqezi e dinin se në Serbi, çdo goditje e topit kishte peshën e një shekulli tensionesh. Çdo pasim ishte si një fjali e re që sfidon kapitujt e vjetër të mosbesimit. Dhe kur topi preku rrjetën, duke vulosur fitoren 1–0, ishte sikur historia mori frymë, dhe Tirana, Prishtina e Shkupi u shkundën nga brohëritjet.
Ky gol është më shumë se një rezultat. Është një shuplakë e heshtur për të gjithë ata që kanë ndërtuar ura me gjak dhe mure me urrejtje. Është një kujtesë për çdo shqiptar, kudo që ndodhet, se përtej politikave të vogla e intrigave të ditës, flamuri ynë qëndron lart kur ne jemi bashkë, kur besojmë, kur luftojmë me zemër.
Sonte, në Beograd, shqiponja nuk fluturoi, ajo nguli kthetrat, me dinjitet, me talent dhe me shpirt. Dhe ndoshta për herë të parë pas shumë dekadash, shqiptarët nuk brohoritën nga mllefi, por nga gëzimi i pastër që sjell vetëm sporti, kur bëhet urë, jo armë.
Sonte në Serbi, shqiponja nuk kërkoi hakmarrje — ajo kërkoi respekt, dhe e fitoi

Latest articles

Related articles