Një ditë tjetër për Mira Kazhanin – kur dhimbja bëhet dritë!

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Unë Mira Kazhanin nuk e kam takuar kurrë. As nuk e njoh personalisht, por e kam ndjekur nëpërmjet podcasteve të saj, të cilët realisht i pëlqej. Kam vendosur që librat që i lexoj dhe më përcjellin një emocion njerëzor, tu bëj një analizë, sepse përjetimi duhet shkruar. Megjithatë, përpara se të nisja ta shkruaja këtë editorial, më kaloi nëpër mend një dilemë e brendshme:
A ka të drejtë një burrë të flasë për përjetimin e një gruaje?
A mund të ndiejë një djalë peshën e heshtur të një beteje që ndodh brenda një trupi e një shpirti që nuk i përket atij?

Këto pyetje më munduan përpara se të vendosja të ulem e të shkruaj, por pastaj mendova se ajo çfarë Mira Kazhani ka ndarë me botën, nuk është historia e një gjiri të sëmurë, por e një zemre që refuzon të ndalet. Dhe aty, përballë jetës e vdekjes, burrë apo grua, mbetemi po aq të zhveshur e të barabartë.

Në “Një ditë tjetër”, Mira flet për kancerin me një qetësi që të trondit. Jo për të dramatizuar, por për ta kuptuar. Jo për të qarë, por për të pranuar. Dhe ajo çfarë ndien teksa lexon, është se ky nuk është një libër për sëmundjen – është një libër për kthimin tek vetvetja, për marrëdhënien me frikën, me trupin, me kohën dhe me Zotin.

Ka diçka thellësisht filozofike në mënyrën si ajo e sheh jetën: jo si një vazhdimësi ditësh, por si një mundësi për të jetuar me vetëdije çdo ditë tjetër që na jepet.

Në heshtjen me prindërit, në vendimin për të mos i ngarkuar me dhimbjen e saj, Mira tregon një formë dashurie të thellë – atë që nuk kërkon vëmendje, por që mbron të tjerët edhe kur vetë është e thyer. Në këtë zgjedhje ka më shumë forcë sesa në çdo heroizëm të zhurmshëm.

Kjo është arsyeja pse ky libër nuk mund të lexohet thjesht si një dëshmi mjekësore, por si një udhëtim shpirtëror. Ai të kujton se trupi është thjesht një strehë e përkohshme, dhe se ajo që na mban gjallë nuk është vetëm shëndeti, por dhe kuptimi që i japim jetës. Në fund, ajo që mbetet nuk është frika e sëmundjes, por qetësia e pranimit.

“Një ditë tjetër” është një lutje e butë për jetën, një testament i heshtur i një gruaje që nuk kërkoi të frymëzojë askënd, por përfundoi duke i dhënë frymë shumëkujt. Sepse kur njeriu e përballon dhimbjen me dinjitet, ajo shndërrohet në dritë dhe kjo dritë, përmes fjalës, bëhet udhërrëfyes për të tjerët.

Në këtë libër, Mira nuk flet për fundin – ajo flet për fillimet. Për çdo mëngjes që lind dhe pas natës më të errët. Për çdo frymë që del nga plagët e jetës si dëshmi e mbijetesës.

Në fund, lexuesi ndien se ky nuk është thjesht rrëfimi i saj, por një pasqyrë ku mund të shohim veten. Sepse të gjithë kemi një “kancer” tonin – një frikë, një humbje, një peshë që e mbajmë në heshtje. Të gjithë, në mënyra të ndryshme, presim “një ditë tjetër” për tu rilindur.

Latest articles

Related articles